Urimi i Krasniqit për Ditën e Çlirimit të Prishtinës: 24 vite më parë Serbia u gjunjëzua

Për tri datat që janë në mesin e datave më të rëndësishme për historinë e Kosovës, 10, 11 dhe 12 qershori, sot, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pati një reagim.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se këto tri data Kosovën e ndërlidhin historikisht si asnjë datë tjetër.

“Me 10 qershor 1999 Serbia gjunjëzohet! Me 11 qershor 1999 Prishtina çlirohet! Me 12 qershor 1999 liria vjen në Kosovë!” – tha i pari i PDK-së.

Ai tutje kujtoi 10 qershorin e 1878 në Prizren, për të cilën tha se betimi i burrave të kombit që ndodhi atë ditë u shndërrua në amanet që do të përcillet brez pas brezi, e betim i cili sipas Krasniqit u përmbush saktësisht 121 vite më vonë, në Prishtinë.

“121 vite sakrificë, dhembje, luftë e përpjekje për liri – pa humbur asnjëherë fokusin nga qëllimi final – çlirimi dhe pavarësia e Kosovës” – u shpreh kryetari i PDK-së.

Ai ndër të tjera shtoi se sot nderojnë të gjithë luftëtarët, veprimtarët, intelektualët dhe martirët ndër breza, të cilët, u bën urë e dritë për këtë ditë, pra për Ditën e Çlirimit të Prishtinës.

“Sot, përulemi para vetëmohimit të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, posaçërisht dëshmorëve, të cilët besuan në idealin e luftës së tyre, edhe atëherë kur pak kush kishte më shpresa” – tha Krasniqi duke shtuar se është obligimi që si shtet e popull, që duke kujtuar e nderuar të kaluarën, të ndërtohet një vend i zhvilluar.

“E përjetshme qoftë Kosova!” – përfundoi ai postimin e tij.

Në Ditën e Çlirimit të kryeqytetit, sot Komuna e Prishtinës ka organizuar një sërë aktivitetesh. Në mesin e tyre është edhe votimi për titullin “Qytetar Nderi”, për Jeremy John Durham Ashdoun, Baron Ashdoun, nga Norton-sub-Hamdon.

Nga programi kulturor mbahet Ekspozita “Rezistenca 1990” nga artisti Hazir Reka, ndërsa aktivitetet kulmojnë me koncertin e madh, në sheshin Skënderbeu, nga ora 20:45.

Përderisa, nga ora 12:00 në sheshin e qytetit të Prishtinës është mbajtur edhe parada e fëmijëve së bashku me Forcën e Sigurisë së Kosovës, e po ashtu u bën zyrtarë të vendit sot bën edhe homazhe në varrezat e dëshmorëve.

Mbahet parada e fëmijëve së bashku me Forcën e Sigursisë së Kosovës