Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit
U dorëzohen familjeve trupat e terroristëve të vrarë në Banjskë
Trupat e tre terroristëve të vrarë nga kundërsulmi i Policisë së Kosovës drejt grupit terrorist në Banjskë, u janë dorëzuar sot familjeve të tyre.
Drejtori i Institut të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti konfirmoi për KALLXO.com se trupat janë dorëzuar sot.
KALLXO.com sot ka raportuar se Instituti i Mjekësisë Ligjore ka përfunduar autopsinë e tre trupave të Stefan Nedeljkoviq, Igor Millenkoviq dhe Bojan Mijailoviq.
Haliti kishte thënë se autopsia ka përfunduar, ndërsa raportet ende.
“Po ajo çka mund të them është se autopsia ka përfundu. Identifikimi, kjo është çështje e prokurorisë. Raportet ende nuk janë përfunduar”- tha Haliti për KALLXO.com përmes telefonit.
Stefan Nedelkoviq, për shkak të shkëmbimit të zjarrit nga një kundërpërgjigje e Policisë se Kosovës fillimisht ishte plagosur e më pas ishte tërhequr zvarrë nga pjesa tjetër e grupit, për t’u lënë në malet e Banjskës.
Vdekja e Nedelkoviqit ishte konfirmuar të dielën ndërsa Policia njoftoi se kishte gjetur trupin e tij.
Nedelkoviq, siç mëson KALLXO.com, ishte nga Zveçani ndërsa dy pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist që u vranë ishin nga Leposaviqi.
Një tjetër i vrarë është edhe Igor Milenkoviq. Ky i fundit jetonte në Leposaviq. Po ashtu, edhe personi i tretë, Bojan Mijailoviq ishte nga Leposaviqi.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka thënë se dy nga të vrarët kishin nënshtetësi të dyfishtë.