Vendi ku u vendos eksplozivi në shtëpinë e Armand Dukës, president i FSHF-së. Foto:Geri Emiri.

Tritoli në banesën e Armand Dukës, policia arreston të dyshuarin, por nuk zbardh motivet

Policia e Durrësit njoftoi paraditen e së mërkurës se arrestoi autorin e dyshuar të vendosjes së tritolit në portën e jashtme të banesës së presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Lënda plasëse shpërtheu të hënën rreth orës 22:10 në lagjen numër 4 të qytetit të Durrësit, pak pasi një person me kapuç e vendosi aty dhe u largua me shpejtësi.

Policia njoftoi për mediat se arrestoi si të dyshuar 34 vjeçarin Arlen Hasanaj, fqinj i Dukës në lagjen numër 4 të qytetit të Durrësit. Hasanaj është sipërmarrës i një biznesi në Durrës.  Ai akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Por policia nuk bëri me dijet motivet e sulmit që pati vetëm dëme materiale, teksa njoftoi se po vijon punën “për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e provave të tjera ligjore”.

Ngjarja ndodhi në një kohë që po zhvillohet gara për drejtuesit e shoqatave rajonale të futbollit, të cilat do të votojnë në zgjedhjet për kreun e ri të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).

Ajo ndodhi po ashtu në të njëjtën ditë kur FSHF publikoi një regjistrim audio në të cilin pretendon se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj po u bën presion dhe shantazh anëtarëve të Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranë.

Më herët presidenti i vendit, kreu i opozitës dhe aktorë të tjerë të politikës dhe biznesit bënë thirrje për zbardhjen e plotë të sulmit me tritol në derën e banesës së presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka./Reporter.al