Tre të arrestuar nga 4 raste të dhunës në familje

Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24-orët e fundit janë raportuar 4 raste të dhunës në familje. Këto raste kanë ndodhur në tri qytete të Kosovës dhe janë arrestuar tre të dyshuar.

Sipas njoftimit të Policisë, në Obiliq janë raportuar dy raste. Në rastin e parë një burrë ka raportuar se si pasojë e një mosmarrëveshje verbale, në ora 01:00 të mesnatës djali i tij e ka sulmuar fizikisht.

Burri ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati.

Kurse, në rastin e dytë është arrestuar një i dyshuar, i cili i ka sulmuar fizikisht prindërit e tij.

Sipas Policisë, ky rast ka ndodhur më 18 tetor, rreth orës 18:55.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në Prishtinë, ku një burrë ka kanosur dhe ofenduar gruan e tij.

Rasti ka ndodhur më 18 tetor, rreth orës 12:10. Idyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Ndërkohë, një rast i dhunës në familje që ishte raportuar në qytetin e Gjakovës më 6 tetor, ku një grua kishte raportuar se ishte sulmuar fizikisht nga burri i saj, i cili kishte qenë në arrati, është arrestuar.

“Lidhur me rastin, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Rasti kishte ndodhur rreth orës 12:35, ndërsa gruaja kishte pranuar trajtim mjekësor dhe ishte dërguar në strehimore.