Totaj emëron nënkryetar personin për të cilin Gjykata Supreme kishte konstatuar shkelje në lirimin e tij nga aktakuza

 

Kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka emëruar nënkryetar të komunës, Kujtim Gashin.

Për emërimin e tij në këtë pozitë, komuna ka njoftuar përmes një komunikate për media ku ndër të tjerë thuhet se sot kanë filluar emërimet politike në kabinetin e Totajt.

Kujtim Gashi është nënkryetar i degës së PDK-së në Prizren, anëtar i Kryesisë Qendrore dhe ka qenë Shef i Shtabit zgjedhor në zgjedhjet e fundit lokale. Gashi ka qenë asamblist për tre mandate dhe kryesues i Kuvendit Komunal për një mandat. Gjithashtu, Gashi ka qenë dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kujtojmë që Gashi akuzohej se kishte keqpërdorur pasurinë publike duke lidhur kontrata pa procedura të prokurimit me televizionet TV Besa dhe TV Opinion, për transmetimin e seancave të Asamblesë më 8 janar 2015 në shumën prej 250 euro për çdo seancë.

Ndërsa pagesat për këto shërbime janë autorizuar gjatë vitit 2016 në shumën prej 1,750 euro.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë të cilat i ka hudhur poshtë Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit, Gashi akuzohej se kishte lidhur kontratë me TV Opinion më 08 janar 2015, në shumën prej 400 euro për transmetimin e seancave të Asamblesë Komunale ndërsa pagesat janë autorizuar gjatë vitit 2015, 2016 në shumën prej 6,700 euro.

Gjithsej për këto dy televizione, sipas aktakuzës janë proceduar pagesa në shumën prej 8,450 euro, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, duke kryer kështu veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar.

Për këtë rast, Gjykatat Supreme e Kosovës ka konstatuar se aktgjykimet lirues në rastin e Gashit në shkallë të parë dhe të dytë janë marrë në kundërshtim dhe në shkelje me ligjin penal.

Gashi me aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit më 23 dhjetor 2020 ishte liruar nga akuza për lidhjen e kontratave pa tender me televizionet lokale.

Ndërsa Apeli më 29 mars 2021 e ka vërtetuar aktgjykimin lirues ndaj tij, duke e refuzuar si të pabazuar ankesën e prokurorit të shtetit.

Kundër këtyre vendimeve, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë ka parashtruar prokurori i shtetit me pretendimin se ka pasur shkelje esenciale dhe shkelje procedurale, të cilat kanë ndikuar në marrjen e vendimit të ligjshëm penal.

Supremja në këtë rast nuk ka gjetur se aktgjykimet e kundërshtuara përmbajnë shkelje esenciale, mirëpo ka konstatuar se gjykatat kanë nxjerrë konkludime të gabuara lidhur me ekzistimin e veprës penale për të cilën akuzohej Gashi.

Në arsyetimin e Supremes thuhet se veprimi i kundërligjshëm i të pandehurit qëndron në faktin se ai nuk i ka mundësuar konkurrencë operatorëve të tjerë.

 

Supremja konstaton shkelje në aktgjykimin lirues të ish-kryesuesit të Asamblesë së Prizrenit

 

Apeli vërteton aktgjykimin lirues, ndaj Kujtim Gashit

 

Deputeti i PDK-së lirohet nga akuza për kontratat në Komunën e Prizrenit

 

Kontratat pa tender – Deputetit të PDK-së, Kujtim Gashit i vërtetohet aktakuza nga Apeli

 

Prizren – Kundërshtohet aktakuza në gjykimin e Kujtim Gashit

 

Kontratat pa tender me televizionet lokale e ulin në bankën e të akuzuarit deputetin e PDK-së Kujtim Gashi

 

Aktakuzë ndaj Ministrit për kontratat me televizionet lokale