Shkarkohet Kujtim Gashi, drejtor i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit

Me vendim të Qeverisë së Kosovës, është shkarkuar drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, Kujtim Gashi.

Sipas kryeministrit Albin Kurti, vazhdimi i mandatit të Gashit ishte i kundërligjshëm.

“Vazhdimi i mandatit ishte bërë në kundërshtim me dispozitat e ligjit dhe me rregulloren për pozitat e larta”, tha Kurti.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se për këtë rast nuk është paraparë vazhdimi i mandatit.

“Për këtë rast nuk është paraparë vazhdimi i mandatit të dytë e as të tretë. Me qëllim të kthimit të ligjshmërisë kërkoj nga ju që ta aprovoni këtë vendim”, tha Sveçla.

Kujtojmë që vendimin për vazhdimin e mandatit edhe për 3 vite për Gashin, e kishte marrë ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në janar të vitit 2020.