Kujtim Gashi

Kontratat pa tender - Deputetit të PDK-së, Kujtim Gashit i vërtetohet aktakuza nga Apeli

 

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj deputeti të PDK-së, Kujtim Gashi, aktakuza ndaj të cilit u  ngrit në kohën sa i njëjti mbante pozitën e ministrit për Kulturë Rini dhe Sport.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXo.com avokati i tij Artan Qerkini, i cili tha se mbesin pranë pretendimeve se qëllimi i të mbrojturit të tij ka qenë transparenca dhe jo lidhaj e kontratave të kundërligjshme për qëllime përfitimi.

Deputeti Kujtim Gashi po akuzohet për periudhën kohore të vitit 2015 dhe 2016 kur mbante pozitën e Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prizrenit.

Në seancën e datës 5 shkurt 2020, Kujtim Gashi nëpërmjet mbrojtësit të tij, avokatit Artan Qerkini kishin kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë, duke kërkuar që të hudhet në mungesë të provave.

Këtë kërkesë e kishte kundërshtuar Gjykata e Prizrenit duke e vërtetuar aktakuzën e Prokurorisë, ndërsa ankesën ndaj vendimit të Gjykatës së Prizrenit, e ka refuzuar Gjykata e Apelit, kështu duke e vërtetuar aktakuzën e Prokurorisë, dhe tashmë pritet që Gjykata e Prizrenit të caktojë seancat për shqyrtimit kryesor.

Kujtim Gashi me datë 26 dhjetor ka dhënë betimin si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Para se të zgjedhej deputet Kujtim Gashi në një intervistë për KALLXO.com kishte premtuar se nëse ndaj tij do të ngritet aktakuzë që ka të bëjë me korrupsion dhe afera të sanksionuara me ligj, ai do të jepte dorëheqje.

Kujtim Gashi në intervistën për Kallxo.com të publikuar me 26.09.2019 i pyetur se a do të jep dorëheqje nëse i ngritet aktakuzë ka thënë se: “Çdo aktakuzë që ka të bëj me korrupsion dhe me afera të ndryshme të cilat sanksionohen me ligj, natyrisht që nuk mund ta ushtroj detyrën e deputetit sepse këto natyrisht janë edhe të sanksionuara me ligj”.

Prokuroria pretendon se Gashi pa procedurë të tenderimit ka lidhur kontrata për transmetimin e seancave të Asamblesë Komunale me ‘TV Besa’ në shumën prej 250 euro për çdo seancë, ndërsa këto pagesa janë autorizuar në shumën prej 1,750 euro.

Gjithashtu sipas aktakuzës Gashi ka lidhur kontratë edhe me ‘TV Opinion’ në shumën prej 400 euro për transmetim të seancave të Asamblesë Komunale, ndërsa pagesat janë realizuar në shumën prej 6,700 Euro.

“Gjithsej për këto dy televizione ka autorizuar pagesa në shumën prej 8,450 euro në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit publik dhe Ligjin mbi menaxhimin e financave publike”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Edhe në deklarimin e tij në Prokurori i akuzuari Kujtim Gashi ka mohuar në tërësi të ketë kryer veprën penale me të cilën po akuzohet.

I njëjti para prokurorit të rastit kishte deklaruar se praktikën e pagesave të këtyre televizioneve e ka gjetur kur ka pranuar detyrën e kryesuesit të Asamblesë Komunale, dhe kështu kishte vazhduar deri kur auditori i kishte rekomanduar Komunës që këto pagesa të bëhen përmes zyrës së Prokurimit.

Gashi ka thënë se si kryesues i Asamblesë Komunale nuk ka pasur kompetenca ekzekutive dhe vetëm i ka drejtuar seancat dhe ka qenë i obliguar në bazë të rregullores për transparencë t`i transmetojnë mbledhjet e asamblesë në televizione, ndërsa nuk ka qenë kompetenca e tij për kriteret dhe pagesat e seancave.

Lidhja e kontratave pa tender me televizionet lokale ka vënë para drejtësisë disa drejtorë të Komunës së Prizrenit.

Nijazi Kryeziu, ish-drejtor i Urbanizmit gjithashtu po përballet me akuzat e prokurorisë për lidhje të kontratave pa tender.

Hasan Hasani, ish-drejtor i Shërbimeve Publike është dënuar me 3 mijë euro gjobë sepse lidhi disa kontrata për video reklamuese me media duke mos hapur fare tender.

I njëjti e kishte pranuar fajësinë para gjykatës pas 15 ditësh negociata me prokurorinë.

Në marrëveshjen e arritur ndërmjet të akuzuarit dhe Prokurorisë së Prizrenit ishte propozuar dënim me burgim prej 6 muajsh, por me mundësi që ky dënim t’i zëvendësohej me gjobë.

Ndërsa Ertan Simitçi, që edhe gjatë qeverisjes së Mytaher Haskukës ishte emëruar drejtor i Financave, ka dhënë dorëheqje pikërisht pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij për lidhjen e kontratave pa tender me televizionet lokale.

Simitçi ka mohuar akuzat e Prokurorisë, duke mos e pranuar fajësinë për veprat që i ngarkohen.

Ish-drejtori i Administratës së Komunës së Prizrenit, Ilir Baldedaj është dënuar me burgim me kusht për lidhje të kontratave pa tender me televizionet lokale.

Në nëntor të 2017, Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë ndaj Ilir Baldedajt, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Më 25 maj 2018 Baldedaj u dënua me gjashtë muaj burgim me kusht, ndërsa në shkurt të vitit 2019, ky dënim u vërtetua nga Gjykata e Apelit.