Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Miratimi i ligjeve, dështimi i Ministrisë së Kulturës në vitin 2021

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka dështuar të dërgojë në Kuvendin e Kosovës për miratim një sërë projektligjesh që rregullojnë fushën e kulturës, disa të parapara për 2021.

Për vite me radhë MKRS ka premtuar plotësim – ndryshimin, mandej edhe bërjen e disa ligjeve të kulturës.

Projektligji për Kinematografinë është rikthyer në pikën zero. Kurse ai për Trashëgiminë Kulturore do të vazhdojë të mbesë në sirtarët e ministrisë.

Projektligji për teatrot, ai për Filharmoninë, Operën dhe Baletin, për draftimin e të cilëve u investuan para dhe mjaft kohë, do të hidhen në “kosh”. Ministria ka vendosur që këto projektligje të shkrihen në Projektligjin unik të Kulturës.

Vetëm projektligji për arkivat, pas propozimit të MKRS-së, me miratim të Qeverisë së Kosovës është dërguar në Kuvend për diskutim publik, në fund të dhjetorit 2021.

Por, pavarësisht dështimit, Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, thotë se gjatë vitit 2022 do të rrumbullakohen të paktën dy prej ligjeve kryesore kulturore.

Në anën tjetër, opozita kritikon ministrinë për qasjen dhe për mungesën e vullnetit në miratimin e ligjeve për kulturë.

Ligji unik për Kulturën

Ministri i Kuturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, deklaroi gjatë konferencës së fund vitit 2021 se Ligji për Kinematografi dhe ai për kulturën do të finalizohen gjatë 2022, kurse ai për trashëgiminë kulturore mbete peng i partive serbe.

“Ligji për Kinematografinë është tërhequr dhe rikthyer për diskutim, ndërsa Ligji për Trashëgiminë Kulturore mbetet peng i Listës serbe (partive serbe), e cila vazhdimisht është duke keqpërdorur trashëgiminë kulturore për qëllime politike”, ka thënë ndër të tjerash Çeku.

Çeku ka thënë se MKRS është në fazën e fillim të hartimit të Ligjit unik për Kulturë.

Sipas tij, me miratimin e këtij ligji do të pushojnë së funksionuar të gjitha ligjet tjera që rregullojë fushat të caktuar të kulturës, përveç atij për Trashëgiminë Kulturore dhe për Kinematografi.

“Me prioritet po trajtohen Projektligji unik të Kulturës, është formuar edhe grupi punues. Do të punojmë që ky projektligj dhe ai për Kinematografinë të finalizohen gjatë 2022”, ka thënë ministri Çeku.

“Neglizhenca” ndaj kornizës ligjore

Në anën tjetër deputetë dhe ish-ministra të Kulturë kanë kritikuar MKRS-në, për neglizhencë dhe mosqasjen e duhur ndaj kornizës ligjore të kulturës.

Ish-ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, deputete e Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, ka thënë për KALLXO.com se ministri Çeku nuk ka arritur të procedojë për miratim, në qeveri e pastaj në Kuvend, asnjë projektligj.

“Për këtë, ne në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, në të cilin jam anëtare si deputete, kemi bërë vërejtje, pasi pothuajse të gjitha projektligjet ishin të gatshme, të përfunduar dhe draftuar nga profesionistë të fushave përkatës dhe ekspertëve ligjorë”, ka thënë Dumoshi.

Ndërkaq, Kujtim Gashi, ish-ministër i Kulturës nga radhët e PDK-së ka potencuar për KALLXO.com se shumë prej projektligjeve të cilat mbetën të tilla në 2021 ishin draftuar dhe kishin përfunduar të gjitha procedurat paraprake, para se të dërgoheshin për miratim, gjatë kohës sa ai ishte ministër.

“Fatkeqësisht jemi duke parë një neglizhencë totale sa i përket kësaj kornize ligjore e cila, përveç që është e nevojshme është gjithsesi edhe urgjente, për faktin se një pjesë e madhe e institucioneve të kulturës ende nuk e kanë një kornizë të qartë të ligjeve ose kanë dhe punojnë me ligje të vjetra”, ka thënë Kujtim Gashi, ish-ministër i Kulturës.

Ligjet nga koha e UNMIK-ut

Shumë prej ligjeve me të cilat rregullohet fushëveprimtaria e disa institucioneve të kulturës janë nga koha e UNMIK-ut.

Ligji për Kinematografinë është miratuar në vitin 2004. Në vitin 2016 dështoi miratimi i plotësin-ndryshimit të këtij ligji. Në fund të vitit 2021, MKRS dorëzoi për diskutim publik draftligjin e ri, por u detyrua ta kthejë në pikën zero, pas vërejtjeve të kineastëve.

Ligji për Trashëgiminë Kulturore është miratuar në vitin 2006. Pas vitit 2008 nisi ndryshim-plotësimi i këtij ligji, por deri më tani MKRS nuk ka bërë publik ndonjë draft të ri të këtij ligji.

Ligji për Filharmoninë, Operën dhe Baletin është miratuar në vitin 2006. Vite më parë MKRS nisi plotësim-ndryshimin e këtij ligji. Por, vitin që shkoi ministria vendosi që fushëveprimtaria e këtyre tri institucioneve të rregullohet brenda Ligjit unik për Kulturën.

Gjatë vitit 2021 MKRS ka nisur hartimin e Projektligjit unik për Kulturën. Sipas ministrisë, Ligji për Kulturën do të shkrijë brenda vetës të gjitha ligjet për kulturës, përjashtuar atë për Kinematografinë dhe Trashëgiminë Kulturore. MKRS synon që deri në fund të vitit 2022 ky projektligj të jetë gati për miratim në Kuvendin e Kosovës.