Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Apeli vërteton aktgjykimin lirues, ndaj Kujtim Gashit

 

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin lirues të Gjykatës së Prizrenit për, ish-kryesuesin e Asamblesë Komunale të Prizrenit, Kujtim Gashin.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zyrtari për informim publik i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

Më këtë aktgjykim, Gashi ishte liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për kohën kur kishte qenë Kryesues i Asamblesë Komunale në Prizren.

Kujtojmë që Gashi akuzohej se ka keqpërdorur pasurinë publike, duke lidhur kontrata pa procedura të prokurimit me televizionet TV ”Besa” dhe TV “Opinion”, për transmetimin e seancave të Asamblesë me datë 8 janar 2015 në shumën prej 250 euro për çdo seancë.

Ndërsa pagesat për këto shërbime thuhet se janë autorizuar gjatë vitit 2016, në shumën prej 1750 euro.

Sipas Prokurorisë, Gashi po ashtu ka lidhur kontratë me TV “Opinion” me datë 8 janar 2015, në shumën prej 400 euro për transmetimin e seancave të Asamblesë Komunale, ndërsa pagesat janë autorizuar gjatë vitit 2015, 2016 në shumën prej 6700 euro.

Gjithsej për këto dy televizione, sipas aktakuzës janë proceduar pagesa në shumë prej 8,450 euro, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, duke kryer kështu veprën penale për keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar.

Deputeti i PDK-së lirohet nga akuza për kontratat në Komunën e Prizrenit