Tollovi në qendrën e vaksinimit në Pejë

Në qendrën e vaksinimit në Pejë është krijuar tollovi.

Kjo për arsye se qytetarët nuk kanë mundur të presin në radhë përjashta për shkak të temperaturave të larta.

Ata kanë hyrë brenda qendrës dhe kanë krijuar tollovi për shkak se hapësira ishte e vogël.

KALLXO.com ka siguruar fotografi nga qendra e vaksinimit në Pejë, ku shihen qytetarët të grumbulluar në një hapësirë të vogël.

Drejtori i Shëndetësisë së Komunës së Pejës, Petrit Loci, tha se qytetarët janë detyruar të hynë brenda për shkak të temperaturave të larta.

“Problemi qëndron se në ambientin e jashtëm temperaturat janë jashtëzakonisht të larta, ndërsa brenda është vendi i klimatizuar”, tha Loci për KALLXO.com.

Ndërsa, sa i përket sigurimit ai thotë se qëndron një polic dhe kujdeset për rendin në këtë qendër.

Në anën tjetër, koordinatori i qendrës së vaksinimit në Pejë, Dukagjin Sahatxhiu, tha se sot ka qenë fluksi shumë i lartë i qytetarëve për vaksinim dhe kjo ka qenë njëra prej arsyeve që është krijuar kjo tollovi.

“Po, është pjesa ku presin brenda, por për shkak të fluksit të madh është dashtë disa qytetarë me pritë jashtë. Ka ulëse, janë edhe ulëset e parkut, por sot nuk kemi arritur me i qitë as ulëset”, tha ai për KALLXO.com.

Ai shtoi se vetëm paradite janë vaksinuar 800 qytetarë. Ndërsa deri më tani në Pejë janë vaksinuar rreth  23 mijë e 500 qytetarë, 19 mijë prej tyre janë vaksinuar me dy dozat.

Një person konsiderohet i vaksinuar komplet në momentin që vaksinohet me dy doza të vaksinës kundër SARS-CoV-2.

Aktualisht në nivel vendi janë në dispozicion dy lloje të vaksinave, “AstraZeneca” dhe “Pfizer”.

Sahatxhiu potencoi se aktualisht në stok në Pejë janë rreth 4 mijë vaksina të llojit “AstraZeneca” dhe rreth 2 mijë “Pfizer”.

Kujtojmë se KALLXO.com pati shkruar edhe për tollovinë e krijuar tek Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, tek tenda ku merren mostrat e dyshuara me COVID-19.