Thaçi, Veseli e Selimi mbërrijnë në Aeroportin e Prishtinës

Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi kanë arritur në Aeroportin e Prishtinës për të shkuar në Hagë pas aktakuzave ndaj tyre që u konfirmuan nga Gjykata Speciale.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara.

“Ashtu siç kam premtuar, nuk do te lejoj që para gjyqit të dal presidenti. Unë sot jap dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Ftoj forcat politike të dëshmojnë maturinë që kërkon koha dhe të mos lejojnë të thellohemi në krizë kushtetuese e institucionale”, tha presidenti në konferencën për media në Prishtinë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli pasi që ka njoftuar për konfirmimin e aktakuzës së Gjykatës Speciale ndaj tij, ka theksuar se e vlerëson lart faktin që ka marrë ftesë për paraqitje dhe nuk është arrestuar.

“E vlerësoj faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke më nisur një ftesë për tu paraqitur në gjykatë, në vend se të më arrestonin në mënyrë të padinjitetshme. Unë i jam përgjigjur këtij akti mirësjelljeje, duke u pajtuar që të udhëtoj këtë mëngjese për në Hagë me përfaqësues të tribunalit, ku formalisht do të paraqitem para trupit gjykues për t’iu përgjigjur akuzave të bëra dhe për të nisur një proces të gjatë të mbrojtjes”, ka shkruar ai.

Situatë e njëjtë nuk ka qenë me ish-bashkëpartiakun e Veselit dhe ish-zëdhënësit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi, i cili dje u arrestua pas një bastisje disa orëshe nga hetuesit e Speciales.