Thaçi udhëton për në Gjermani, do të takohet edhe me Grenell

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për në Gjermani, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Munihut.

Gjatë Konferencës së Sigurisë së Munihut, presidenti Thaçi do të ketë takime të ndryshme bilaterale, ndër të tjera edhe me senatorët amerikanë Ron Johnson dhe Chris Murphy, me Ndihmëssekretarin e Departamentit të Shtetit, Philip Reeker.

Po ashtu, do të takohet edhe me Drejtorin Politik të Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, si dhe me Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak.

Zyra e Presidentit ka njoftuar se presidenti Thaçi në kuadër të kësaj konference do ta takojë edhe të dërguarin e posaçëm të presidentit Trump për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadorin Richard Grenell.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri Kurti me anë të letrës zyrtare ka ftuar sot në takim presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Kurti e ka ftuar Thaçin për të bashkërenduar qëndrimet për politikën e jashtme, para udhëtimit në Konferencën për Siguri në Munih të Gjermanisë.

“Duke e ditur përgjegjësinë kombëtare e detyrën institucionale që i bartin pozitat tona e kur jemi në prag të konferencës “Munich Security Conference”, ju ftoj në takim për t’i bashkërenduar qëndrimet tona për çështjet e politikës së jashtme”, thuhet në letrën e Kurtit.

Kryeministri Kurti ia ka dhënë Thaçit tre orare se kur mund ta zhvillojnë këtë takim.

“Ju ftoj për sot në orën 12:00, 16:00 ose 17:30 apo edhe në mbrëmje që të takohemi e të dakordohemi së bashku për qëndrimet tona”, vazhdon letra.

Kurti fton në takim Thaçin