Kurti fton në takim Thaçin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me anë të letrës zyrtare ka ftuar sot në takim presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Kurti e ka ftuar Thaçin për të bashkërenduar qëndrimet për politikën e jashtme, para udhëtimit në Konferencën për Siguri në Munih të Gjermanisë.

“Duke e ditur përgjegjësinë kombëtare e detyrën institucionale që i bartin pozitat tona e kur jemi në prag të konferencës “Munich Security Conference”, ju ftoj në takim për t’i bashkërenduar qëndrimet tona për çështjet e politikës së jashtme”, thuhet në letrën e Kurtit.

Kryeministri Kurti ia ka dhënë Thaçit tre orare se kur mund ta zhvillojnë këtë takim.

“Ju ftoj për sot në orën 12:00, 16:00 ose 17:30 apo edhe në mbrëmje që të takohemi e të dakordohemi së bashku për qëndrimet tona”, vazhdon letra.

Ndërsa Zyra e Presidentit ka njoftuar se sot presidenti Thaçi ka udhëtuar drejt Gjermanisë.

Më poshtë gjeni letrën e Kurtit drejtuar presidentit Thaçi.