Thaçi kërkon përkrahje konkrete nga BE-ja, nga takimi me senatoren franceze

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim anëtaren e Senatit të Francës, Helen Conway-Mouret, me të cilën thuhet se ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon.

Zyra e Presidentit përmes një komunikate për media ka bërë të ditur, se Thaçi është shprehur se Kosova ka zhvilluar një proces elektoral shembullor dhe se tani po pret formimin e qeverisë së re.

“Kosova ka një demokraci të avancuar”, citohet të ketë thënë presidenti, duke shtuar se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve pret që shpejt të formohet qeveria që do të shtyjë përpara proceset e rëndësishme për Kosovën.

Thaçi theksoi se Kosova dhe i tërë Ballkani Perëndimor pret përkrahje më konkrete nga BE-ja.

“Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizim të vizave dhe pret vendim meritor nga BE dhe shtetet anëtare të BE-së”, ka theksuar Thaçi.

Senatorja Conway-Mouret u shpreh se Franca përkrah perspektivën evropiane të Kosovës dhe të tërë Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Thaçi tha se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç se të vazhdojë të angazhohet për të realizuar aspiratën për t’u bërë anëtare e BE-së.