Testimi i unazës e bllokimi i rrugëve në kreyqytet, reagon Përparim Rama

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama është deklaruar në lidhje me testimin për shndërrimin e unazës qendrore në qarkore njëkahëshe.

Rama ka thënë se gjatë ditës kanë pranuar rekomandime e propozime për të gjetur një zgjidhje përfundimtare duke shtuar janë duke i trajtuar shqetësimet e qytetarëve.

“Gjatë gjithë ditës së sotme, ne kemi bërë identifikimin e fytave të ngushtë dhe njëkohësisht kemi pranuar mesazhe me propozime e rekomandime konkrete për të ofruar një zgjidhje përfundimtare për komunikacionin e ngarkuar të Kryeqytetit tonë. Të gjitha propozimet dhe shqetësimet jemi duke i trajtuar me kujdes të veçantë bashkë me stafin tim” – ka shkruar Rama në facebook.

“Dua të bëj një falënderim të veçantë për Policinë e Kosovës, për punën e zellshme dhe bashkëpunimin efektiv. Po ashtu dua të falënderoj edhe Task Forcën e krijuar për këtë qëllim, të cilët monitoruan udhëkryqët nga afër si dhe përmes teknologjisë me dron dhe pajisje softuerike”- shtoi ai.

Më tej, Rama ka theksuar se qytetarët ishin njoftuar për këtë testim dy ditë më parë dhe se bashkëndjen me qytetarët e frustruar, duke i falënderuar për durimin e treguar.

“Për këtë testim ju kemi informuar publikisht, qysh nga data 26.10.2022. E kuptoj  plotësisht frustrimin e shumë qytetarëve rreth këtij testimi. Unë dhe stafi përgjegjës i Komunës së Prishtinës bashkëndjejmë me ju. Pavarësisht këtij frustrimi të shprehur, ju falënderoj përzemërsisht për durimin që treguat sot”-ka thënë kryetari i kryeqytetit.

Tollovi trafiku është krijuar sot në kryeqytet, si pasojë e testimit të tretë njëkahor për automjete në unazën qendrore.

Kolonat e gjata ishin më të theksuara në orët e mëngjesit.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se për të tretën herë do të bëhet testimi njëkahor për automjete i unazës qendrore në kryeqytet.

Sipas njoftimit, testimi do të bëhet nga dita e premte më 28 tetor deri të dielën më 30 tetor.

Ndërsa, rrugët e poshtëcekura do të jenë të mbyllura për automjete, me përjashtim të transportit publik, i cili do të qarkullojë në këtë pjesë me shpejtësi minimale të lëvizjes: Rruga “George Bush” deri te semaforët pranë Katedrales,  rruga “Garibardi” deri te semaforët pranë rrugës ”Dritan Hoxha”.