Tërhiqet SBAShK-u, s`ka më greva për Ligjin për Paga

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj ka thënë se nuk do të ketë më grevë nga mësimdhënësit për Ligjin për Paga, që është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese.

Jasharaj për KALLXO.com ka bërë të ditur se mësimi do të zhvillohet normalisht deri në një vendim tjetër të Këshillit Drejtues të SBAShK.

“Ajo çka mund të them për momentin këtyre ditëve mësimi do të zhvillohet normalisht, anëtarët e KD dhe anëtareve të niveleve komunale dhe atyre të universiteteve janë duke komunikuar me anëtarësinë dhe duke u nisur nga situate aktuale të cilën gjendemi dhe pasi të konsultohemi, unë do ta thërrasë Këshillin Drejtues për të parë se cili është mendimi dhe cili është zëri i mësimdhënësve dhe ashtu siç vendos KD do të veprojë bashkë me ta”, ka deklaruar Jasharaj.

Megjithatë, ai shprehet i sigurt që anëtarët e Këshillit Drejtues nuk do të propozojnë grevë, pasi sipas tij nuk duhet të kundërshtohet vendimi i Kushtetueses.

“Por jam i sigurt që ata do të bazohen në situatën aktuale, ku ne nuk mund të bëjmë veprime ndaj Gjykatës Kushtetuese sepse është kupola e drejtësisë dhe ndodhemi në një moment ku Kosova s’ka institucione dhe besoj që do të jemi shumë të kujdesshëm”, ka shtuar kreu i SBAShK.

Të premten institucionet arsimore kanë mbajtur grevë dy orëshe për ta kundërshtuar pezullimin e Ligjit për Paga nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ligj ky i cili do t’i rriste rrogat e mësimdhënësve.

Bashkë me ta grevë kanë mbajtur edhe mantelbardhët. Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar përkohësisht Ligjin për Paga sipas kërkesës nga Avokati i Popullit dhe ai do të jetë i pezulluar deri më 30 mars të këtij viti.

Dërgimin e këtij ligji në Kushtetuese e kishte paralajmëruar këshilltari i lartë në Institucionit të Avokatit të Popullit, Burim Tahiri, në emisionin ‘Jeta në Kosovë”.

Ligji i ri i Pagave është miratuar këtë vit në Kuvendin e Kosovës dhe kishte hyrë në fuqi që nga 1 dhjetori.