Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krasniqi: 2022-ta për Kosovën ka qenë vit i dështimit në energji, ekonomi, arsim, diplomaci dhe shëndetësi

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi një konferencë për media ka thënë se viti 2022 për Kosovën ka qenë vit i dështimit në energji, ekonomi, arsim, diplomaci dhe shëndetësi.

Krasniqi tha se Kosova është duke kaluar një prej momenteve më të brishta që prej se është shpallur shtet sovran.

Sipas tij, ky vit ka nisur në një atmosferë të paralajmëruar të krizës energjetike nga opozita, ndërsa sipas tij, Qeveria zgjidhjen e ka gjetur duke e shtrenjtuar energjinë elektrike.

Ai ka thënë se Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për t’ua lehtësuar familjeve përballjen me inflacionin, dhe sipas tij, Qeveria ka refuzuar iniciativat e idetë se si mund ta bëjë një gjë të tillë.

“Tërheqja e mjeteve të TRUST-it nuk ishte kërkesë e PDK-së, mbi të gjitha ishte kërkesë e qytetarëve, të cilët duke u ndjerë të braktisur nga qeveria, kërkonin së paku qasje në një pjesë të mjeteve të veta. Edhe kjo iu është mohuar atyre – ka thënë ai.

I pari i PDK-së tutje ka folur edhe për gjendjen në arsim gjatë këtij viti duke thënë se kryefjala ishte greva.

“Për arsimin që e premtonin se do ta bënin arsim cilësor e konkurrent, për një vit nuk kemi dëgjuar tjetër lajm, përveç grevës në arsim. Pasojat afatshkurta të lojës e testimit psikologjik të sindikatave të arsimit nga ana e qeverisë në kuptim afatshkurtë edhe sot janë duke i përjetuar nxënësit e arsimtarët, e në kuptim afatgjatë do shihen më vonë”- ka thënë Krasniqi.

Krasniqi kritika pati edhe për sektorin e shendetësisë, duke thënë se ky vit do të mbahet mend për shëndetësi pa ministër dhe përplot skandale.

“Listat e pritjes nëpër të gjitha klinikat e QKUK-së dhe Spitaleve të Përgjithshme janë rritur në mbi një vjet. Furnizimi me ilaçe nuk ka qenë asnjëherë më i dobët, fatkeqësisht, edhe për pacientët të sëmurë me kancer”- ka thënë ai teksa ka shtuar se brenda dy viteve dhe dy mandateve, kryeministri Kurti ka emëruar pesë ministra të shëndetësisë, prej të cilëve tri herë Arben Vitinë.

Një tjetër sektor për të cilin ka folur Krasniqi është diplomacia. Ai ka thënë se Kosova gjatë vitit 2022, ka mbetur pa politikë të jashtme reale.

Sipas Memli Krasniqit, Kosovës nuk i ka ardhur asnjë njohje e re, as anëtarësim në Organizata Ndërkombëtare, dhe asnjë avancim në marrëdhënie bilaterale.

“Në sinkron me Presidenten, Kryeministrin dhe Ministren përkatëse, shteti ynë ka abstenuar nga politika e jashtme, duke e humbur shansin për të shfrytëzuar rrethanat e krijuara në fillim të vitit, për ta avancuar agjendën tonë shtetërore”- ka thënë ai.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, tha se lista e dështimeve të qeverisë Kurti gjatë vitit 2022, është e gjatë dhe lë në hije çdo sukses eventual që ka mundur të ndodhë.

Ai ka thënë se krye tema që ka karakterizuar këtë vit ishte devijimi i procesit të dialogut me Serbinë, që sipas tij, nga një synim për marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohje, u kthye në proces teknik për çështjet e brendshme të Kosovës.

Ndërsa tutje ai ka folur edhe për punësimet politike të partisë në pushtet.

“Gjatë këtij viti kemi parë kapje bordesh e institucionesh të pavarura me njerëz të emëruar mbi bazë politike, mos bashkëpunim me nivelin lokal dhe penalizim fondesh e projektesh në komunat ku nuk udhëheqë Vetëvendosja, si dhe një tentativë anti-kushtetuese për të kapur të gjithë administratën publike, siç ishte rasti i fundit me miratimin e Ligjit të Pagave dhe Ligjit për Zyrtarët Publikë”- ka thënë ai.