Foto: SBASHK/ Facebook

SBASHK-u në pritje të Ligjit për pagat për të vendosur për grevën në arsim

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) është në pritje të Ligjit të pagave për të vendosur se çfarë do të ndodhë me grevën në arsim, e cila është pezulluar që nga 1 tetori e deri në janar të vitit 2023.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se nuk kanë pasur debate ende me anëtarësinë dhe me organet e SBASHK-ut për një grevë të mundshme.

“Ne jemi në pritje…informacionet që i kemi për Ligjin e pagave është aprovuar në qeveri dhe ka shkuar në parlament… Të shohim çfarë po sjellë dhjetori, uroj që në dhjetor të kemi ligjin në parlament” – është prononcuar Jasharaj, i cili ka thënë se shpreson që muaji i ardhshëm të sjellë risi për Ligjin e pagave.

“Uroj që janari të na sjellë risi për ligjin e pagave i cili vazhdimisht ka qenë ai që edhe në të kaluarën edhe tani ishte elementi kyç që na dërgoi në grevë” – ka shtuar ai.

“Nëse ky ligj është i pranueshëm dhe aprovohet nga parlamenti dhe fillon së impelementuari ashtu siç është deklaruar një muaj para botimit në gazetën zyrtare atëherë do ta kemi një situatë më të qetë dhe do të angazhohemi për ligjet tjera bashkë me sindikatat tjera në kuadër të BSPK-së” – është shprehur kreu i SBASHK-ut.

Gjithashtu, Jasharaj ka bërë të ditur se kjo sindikatë javën e kaluar ka mbajtur takim me zëvendësministrin e Arsimit, Dukagjin Pupovci.

“Kemi pritur që zonja Nagavci do të na thërrasë dhe pasi ajo nuk e bëri këtë gjë ne i dërguam një shkresë dhe kabineti i saj na u përgjigj me një arsyetim se ajo paska shumë angazhime dhe ata pastaj na lutën që të kemi kuptim dhe të takohemi me zëvendësministrin Pupovci, gjë të cilën e kemi bërë”.

Sipas tij, në takimin me zëvendësministrin e Arsimit, SBASHK-u ka kërkuar nga MASHTI që të angazhohet sa më shumë në realizimin e kërkesave që e kanë dërguar SBASHK-un dhe sindikatat tjera në grevë.

“Zoti Pupovci është deklaruar se do të angazhohet dhe se është optimist se Ligji i pagave është i mirë dhe se do ta vë sistemin arsimor në vendin meritor në këtë ligj të pagave. Pra, jemi në pritje” – ka thënë ai duke shtuar se presin që për këtë çështje të thirren edhe nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Po presim që edhe zonja Nagavci të na thërrasë edhe për këto çështje por edhe për të tjera të bisedojmë sepse konsiderojmë se pa bashkëpunim, pa dialog edhe gjërat në arsim nuk shkojnë ashtu siç duhet” – ka thënë ai.

Sipas kreut të SBASHK-ut, në janar kjo sindikatë do të ketë konsultime me anëtarësinë përmes përfaqësuesve në komuna dhe universitet e më pas përfaqësuesit në këshillin drejtues të SBASHK-ut ta analizojnë situatën.

“Në janar kur është edhe pushimi dimëror ne do të kemi konsultime me anëtarësinë përmes përfaqësuesve tanë që i kemi në komuna dhe në universitet dhe pastaj u mbetet përfaqësuesve që janë në këshillin drejtues të SBASHK-ut ta analizojnë situatën” – ka përmbyllur ai.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK nga 25 gushti ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend duke kërkuar rritje të rrogës 100 euro për të gjithë punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për paga dhe disa kërkesa të tjera.

Me 23 nëntor Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për paga në sektorin publik. Pas miratimit në Qeveri projektligji do të dërgohet në Kuvend për miratim.

Ende nuk dihet sa është koeficienti i pagës në projektligjin e ri.

Në muajin shkurt në media rrodhi një draft i Projektligjit për Paga në sektorin publik, në të cilin koeficientët ishin nga 1 deri në 20. Në atë kohë pati reagime e pakënaqësi nga kategori të ndryshme të zyrtarëve publikë në lidhje me koeficientët. Por, në atë draft të projektligjit nuk ishte përcaktuar vlera e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji ndërsa në vitet pasardhëse do të përcaktohej në Ligjin për buxhetin. Që nga ajo kohë më nuk është prezantuar ndonjë draft apo propozim tjetër nga qeveria.