RRAHMAN JASHARAJ

Jasharaj për deklarimet e Nagavcit: kjo vërsulja me inspektorë na ngjanë vitet e okupimit

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut i ka komentuar deklarimet ministres së Arsmit, Arbërie Nagvci se nesër inspektorët e arsimit do të dalin në terren për të mbikëqyrur zbatimin e mbajtjes së mësimit nëpër shkolla për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës dhe deklarimet se mosmbajtja e orëve është vepër penale.

Gjatë një interviste për KALLXO.com, deklarimet e Nagavcit se nesër do të ketë inspektorë të arsimit në teren Jasharaj i ka komentuar duke thënë se u ngjajnë  vitet e okupimit.

“Madje (ministrja) e kishte përmendur se është edhe kallëzim penal mos mbajtja e orëve, unë nuk e di cilin ligj ekzistues të Kosovës e ka lexuar, ashtu nuk shkruan askund, dhe kjo vërsulja me inspektorë na ngjan vitet e okupimit kur vinin inspektorët e pushtetit okupues pas grevës së famshme e të madhe që BSPK-ja e kishte mbajtur me 3 shtator”- ka thënë Jasharaj për KALLXO.com.

Ai tutje ka thënë se çështja e inspektorëve nuk do të ndikojë që nesër më shumë mësimdhënës të mbajnë mësim nesër.

“Jo nuk do të ndikojë, dhe zonja Nagavci më tepër se me ne që e ka luftën të pa arsyeshme dhe të humbur ajo duhet të komunikojë me prindërit sepse edhe po dolën të gjithë mësimdhënësit nën presion në shkollë, nëse prindërit kanë vendosur që të shtunave të mos mbahet mësim, nxënësit tanë janë fëmijët e tyre dhe nëse ata nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë atëherë kot dalin mësimdhënësit se mësim pa nxënës nuk mund të mbahet”- është përgjigjur i pari i SBASHK-ut.

Sipas tij, pasi që nuk ka pasur asnjë takim në mes të MASHTI-t, SBASHK-ut, Këshillit të Prindërve, Asociacionit të Komunave dhe përfaqësuesve të DKA-ve ministrja Nagavci është e obliguar që ta repsektojë kontratën kolektive të arsimit të kosave e cila është nënshkruar nga MASHTI-t, SBASHK-u.

“Në  kontratë neni 34 e thotë qartë pika 8 se orët e humbura në grevë nuk zëvendësohen përveç në raste kur palët takohen dhe arrijnë marrëveshje të veçantë”- është shprehur ai duke thënë se SBASHK-u nuk është ftuar nga MASHTI.

“MASHTI nuk na ka ftuar, dhe nuk jemi takuar dhe nuk kemi arritur asnjë marrëveshje dhe kryesia e SBASHK-u bashkë me mua është e obliguar që të dalë në opinion dhe të thotë se është në mbrojtje të kontratës… Ashtu si ne edhe zonja Nagavci është e obliguar që ta respektojë kontratën dhe nenin nenin 34 dhe pikën 8 që ka të bëjë me orët e humbura në grevë”.

Ndër të tjera Jasharaj ka thënë se është e drejtë e mësimdhënësve të vendosin nëse ata duan të mbajnë mësim ose jo.

“Në Kosovë janë më shumë se 1 mijë institucione arsimore prej të cilave janë më shumë se 700 institucione të arsimit fillor e të mesëm. Ne asnjëherë nuk kemi bërë urdhra e kërcënime siç ka bërë qeveria Kurti ndaj grevistëve. Mësimdhënësit ne e kemi pasur për detyre tua rikujtojmë qëndrimin tonë duke u bazuar në kontratën kolektive por është e drejtë e tyre të vendosin dhe ne nuk ndikojmë e as nuk kemi tendencë të ndikojmë. Mbetet të shohim si do ta mbajnë (shkollat) mësimin nesër, ndërsa ne nuk kemi ndonjë informacion nga komunat tjera se ka ide të tilla”.

Sot në një konferencë për media Ministrja e Arsmit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavcit ka deklaruar se nesër inspektorët e arsimit do të dalin në terren për të mbikëqyrur zbatimin e mbajtjes së mësimit nëpër shkolla për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës.

“Sigurisht inspektorët e arsimit nesër do të jenë në terren dhe ne kemi pasur mirëkuptim i kemi realizuar pagesat në avans. Nëse nuk mbahet dita e mësimit sigurisht se nuk do të ketë edhe kompensim. Kjo nuk është ndëshkim por është obligim për të respektuar ligjin” – ka deklaruar Nagavci.

Ajo tutje ka thënë se humbja e orëve mësimore duhet të kompensohet dhe është shprehur se mosmbajtja e orëve është vepër penale.

Ministria e Arsimit, javën e kaluar publikoi kalendarin që parasheh zëvendësimin e orëve të humbura për 22 ditët e grevës.

Sipas këtij vendimi, në muajin tetor, 2022 mësimi mbahet më datat 15.10.2022, 22.10.2022 dhe 29.10.2022;-Në muajin nëntor, 2022 mësimi mbahet më datat 12.11.2022 dhe 26.11.2022;-Në muajin dhjetor, 2022 mësimi mbahet më datat 10.12.2022 dhe 24.12.2022;-Në muajin janar, 2023 mësimi mbahet më datë 14.01.2023.

Në vendim po ashtu thuhet se Sipas këtij kalendari të vitit shkollor 2022/2023, gjysmë-vjetori i parë për të gjitha nivelet shkollore parauniversitare përfundon me datën 27.01.2023. Gjysmë-vjetori i dytë fillon me datë 06.02.2023.

Mirëpo, gjatë ditës së djeshme Kryetari i Sindikatës, Rrahman Jashari tha në një konferencë për media se do të zbatohet kontrata kolektive e nënshkruar mes SBAShK-ut dhe MASHT-it, në këtë formë sipas tij nuk do të kompensohen orët e humbura.

Gjatë ditës së djeshme ka pasur edhe reagime nga Këshilli i Prindërve të Kosovës të cilët përmes një postimi në Facebook kanë thënë se janë kundër mësimit të shtunave.

Greva në arsim ka filluar me 25 gusht dhe e njëjta është pezulluar që nga 1 tetori e deri në janar të vitit 2023.Ndër kërkesat e sindikalistëve është rritja e pagës prej 100 euro deri sa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat dhe deri tani ende nuk është arritur një marrëveshje e përbashkët mes Qeverisë dhe sindikalistëve.