Ligji për paga rrezikon të mos hyjë në fuqi në dhjetor

 

Këshilltari i lartë në Institucionin e Avokatit të Popullit, Burim Tahiri, ka thënë se pas Ligjit për zyrtarët publik, në Gjykatën Kushtetuese do të dërgohet edhe Ligji për paga të sektorit publik.

Në emisionin “Jeta në Kosovë”, ku është trajtuar punësimi në institucionet publike, Tahiri ka deklaruar se kanë marrë një numër të madh të ankesave sa i përket Ligjit për paga të sektorit publik.

“Jemi në analizimin e ankesave, se kemi një numër relativisht të lartë të ankesave, pas analizimit ka gjasa që e dërgojmë edhe Ligjin për Paga në Gjykatën Kustetuese. 99%, po, e dërgojmë”, ka theksuar Tahiri.

Ligji i ri i pagave është miratuar këtë vit në Kuvendin e Kosovës, dhe ka hyrë në fuqi që nga 1 dhjetori.

Ndërsa, më 12 shtator ka hyrë në fuqi Ligji për Zyrtarët Publik por me 19 nëntor Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë ligj deri në shkurt të vitit 2020. Ky ligj ka paraparë reformë të thellë të punësimit dhe të avancimit të shërbimit civil të Kosovës.

Në emisionin Jeta në Kosovë, ku është trajtuar tema e punësimit në institucionet publike kanë qenë të ftuar, Naser Shamolli, drejtor i Zyrës Ligjore në MAP; Driton Selmanaj nga LDK, Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, Burim Tahiri, këshilltar i lartë në Institucionin e Avokatit të Popullit; Safet Berisha, drejtor në Departamentin Ligjor në ZKA dhe Visar Rushiti nga Demokracia Plus.

Në pjesën e parë të emisionit Jeta në Kosovë, përballë Jeta Xharrës ka qenë i ftuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Mustafa foli për shumë tema të aktualitetit politik, përfshirë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e qeverisë së ardhshme.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: