Nagavci: Inspektorët e arsimit nesër do të jenë në terren për mbikëqyrjen e zëvendësimit të mësimit

Ministrja e Arsmit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavcit ka deklaruar para mediave se nesër inspektorët e arsimit do të dalin në terren për të mbikëqyrur zbatimin e mbajtjes së mësimit nëpër shkolla për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës.

“Sigurisht inspektorët e arsimit nesër do të jenë në terren dhe ne kemi pasur mirëkuptim i kemi realizuar pagesat në avans. Nëse nuk mbahet dita e mësimit sigurisht se nuk do të ketë edhe kompensim. Kjo nuk është ndëshkim por është obligim për të respektuar ligjin” – ka deklaruar Nagavci.

Ajo tutje ka thënë se humbja e orëve mësimore duhet të kompensohet dhe është shprehur se mosmbajtja e orëve është vepër penale.

“Të gjithë e dimë që kanë humbur 22 ditë mësimi apo 12% e mësimit për fëmijët. Është një humbje e madhe që patjetër duhet të kompensohet dhe kushdo që bën thirrje për mos mbajtje të mësimit jo vetëm që e tregon një papërgjegjshmëri dhe një pandjeshmëri në raport me humbjet e mëdha që janë shkaktuar por në fakt bën edhe vepër penale duke thirrur kundër ekzekutimit të një vendimi që është në kompetencë dhe përgjegjësi të Ministrisë” – është shprehur ajo para gazetarëve.

Ministrja gjithashtu ka folur edhe në lidhje me vendimin e MASHTI-t për plotësimin dhe ndryshimin e Kalendarit të vitit shkollor 2022-2023 për të cilin ajo ka thënë se gjatë përgatitjes së këtij orari janë marrë parasysh të gjithë ata faktorë që janë të domosdoshëm.

“Është e rëndësishme të dihet se kalendari nuk bëhet as sipas dëshirave e as pa planifikim. Janë edhe çështje teknike se si do të sigurohemi që secila orë e humbur do të mbahet gjatë ditëve në vijim. Janë edhe çështjet praktike edhe përmbajtjesore. Është përmbajtja që duhet të mësohet në gjysmë-vjetorin e parë dhe gjysmë-vjetorin e dytë. Janë planifikimet për secilën orë e lëndë dhe nuk është një çështje aq e thjeshtë” – ka vijuar ajo.

Ministria e Arsimit, javën e kaluar publikoi kalendarin që parasheh zëvendësimin e orëve të humbura për 22 ditët e grevës.

Sipas këtij vendimi, në muajin tetor, 2022 mësimi mbahet më datat 15.10.2022, 22.10.2022 dhe 29.10.2022;-Në muajin nëntor, 2022 mësimi mbahet më datat 12.11.2022 dhe 26.11.2022;-Në muajin dhjetor, 2022 mësimi mbahet më datat 10.12.2022 dhe 24.12.2022;-Në muajin janar, 2023 mësimi mbahet më datë 14.01.2023.

Në vendim po ashtu thuhet se Sipas këtij kalendari të vitit shkollor 2022/2023, gjysmë-vjetori i parë për të gjitha nivelet shkollore parauniversitare përfundon me datën 27.01.2023. Gjysmë-vjetori i dytë fillon me datë 06.02.2023.

Mirëpo, gjatë ditës së djeshme Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka thënë para mediave se nuk do t’i zëvendësojnë orët e  humbura gjatë grevës këtë të shtunë.

Ai ka thënë se do të zbatohet kontrata kolektive e nënshkruar mes SBAShK-ut dhe MASHT-it, në këtë formë sipas tij nuk do te kompensohen orët e humbura.

Sipas Jasharit, një prej mënyrave më të mira për t’i kompensuar mësimet e humbura është që t’iu lihet mësimdhënësve që t’i kompensojnë ato në mënyrat e veta.

“Më e mira do të ishte që punëtorëve të arsimit në Republikën e Kosovës t’ua lëmë në pavarësinë e tyre që ata të veprojnë, sepse unë jam i sigurtë që kolegët e mi si në të kaluarën edhe tash do të gjejnë kohë brenda shkollës, brenda ditëve të punës që ta realizojnë në përpikëri plan programin që e kanë për këtë vit shkollor sepse të shtunat në dimër do të na krijojnë telashe të mëdha” – ka përmendur Jasharaj.

Për këtë, Nagavci i ka bërë thirrje SBAShK-ut që t’i dinë kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre.

“Sindikata e Arsmit ka kundërshtuar në vazhdimësi, është mungesë e përgjegjësisë së tyre dhe unë bëj thirrje nga këtu që edhe zoti Jashari edhe të gjithë të tjerët duhet të dinë edhe kompetencat edhe përgjegjësitë e tyre” – është shprehur ministrja Nagavci teka ka thënë se Jasharaj duhet të ndjehet keq për orët që kanë humbur si pasojë e grevës në arsim.

“Përcaktimi i kalendarit të vitit shkollor është përgjegjësi ligjore e ministrisë së arsimit. Kryetari i sindikatës duhet të ndjehet keq për gjithë këto humbje edhe duhet bë paku një herë në jetën e vet të vë përpara interesin e fëmijëve e jo interesat personale” – ka vijuar ajo.

Gjatë ditës së djeshme ka pasur edhe reagime nga Këshilli i Prindërve të Kosovës të cilët përmes një postimi në Facebook kanë thënë se janë kundër mësimit të shtunave.

Greva në arsim ka filluar me 25 gusht dhe e njëjta është pezulluar që nga 1 tetori e deri në janar të vitit 2023.Ndër kërkesat e sindikalistëve është rritja e pagës prej 100 euro deri sa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat dhe deri tani ende nuk është arritur një marrëveshje e përbashkët mes Qeverisë dhe sindikalistëve.