SBAShK: Këtë të shtunë nuk do t’i zëvendësojmë orët e humbura gjatë grevës

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës kanë njoftuar se nuk do t’i zëvendësojnë orët e  humbura gjatë grevës këtë të shtunë.

Ministria e Arsimit së fundit ka marrë vendim që këtë të shtunë të nis zëvendësimi i orëve të humbura.

Kryetari i Sindikatës, Rrahman Jashari tha në një konferencë për media se do të zbatohet kontrata kolektive e nënshkruar mes SBAShK-ut dhe MASHT-it, në këtë formë sipas tij nuk do te kompensohen orët e humbura.

Ai tutje tha se Ministrja Nagavci në vend të konsultimeve edhe me palët tjera, mori vendim të njëanshëm.

Sipas tij, SBAShK-u e ka për obligim të zbatoj kontratën kolektive, derisa ka shtuar se Nagavci nuk e ka respektuar kontratën kolektive, që thuhet se orët e humbura nuk do të zëvendësohen.

Sipas Jasharit, një prej mënyrave më të mira për t’i kompensuar mësimet e humbura është që t’iu lihet mësimdhënësve që t’i kompensojnë ato në mënyrat e veta.

“Më e mira do të ishte që punëtorëve të arsimit në Republikën e Kosovës t’ua lëmë në pavarësinë e tyre që ata të veprojnë, sepse unë jam i sigurtë që kolegët e mi si në të kaluarën edhe tash do të gjejnë kohë brenda shkollës, brenda ditëve të punës që ta realizojnë në përpikëri plan programin që e kanë për këtë vit shkollor sepse të shtunat në dimër do të na krijojnë telashe të mëdha” – përmendi Jasharaj.

Greva në arsim ka filluar me 25 gusht dhe e njëjta është pezulluar që nga 1 tetori e deri në janar të vitit 2023.

Ndër kërkesat e sindikalistëve është rritja e pagës prej 100 euro deri sa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat dhe deri tani ende nuk është arritur një marrëveshje e përbashkët mes Qeverisë dhe sindikalistëve.

Ministria e Arsimit, javën e kaluar publikoi kalendarin që parashesh zëvendësimin e orëve të humbura për 22 ditët e grevës.

(DOKUMENT) Kalendari i ri i vitit shkollor që parasheh zëvendësimin e ditëve të humbura për shkak të grevës