Foto: Madeleine Albright/Twitter

Të premten ditë zie në Kosovë, në nderim të Madeleine Albright

Nesër (e premte) në Kosovë do të jetë ditë zie, pas vdekjes së ish-Sekretares amerikane e Shtetit, mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright.

Kështu njoftoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në seancën e sotme të legjislativit.

Konjufca bëri të ditur, se për shkak që është shpallur ditë zie dita e nesërme, seanca e rregullt e Kuvendit shtyhet për të hënën.

“Ne e kemi paraparë seancën që sot të jetë e rregullt. Para pak minutash presidentja e shtetit sapo shpalli ditë zie për shkak të kësaj ngjarje ditën e nesërme në Kosovë. Në konsultim me grupet parlamentare na u duk më e arsyeshme për shkak të zhvillimeve të zhvendosim këtë seancë të sotme për ditën e hënë në ora 10:00”, ka deklaruar Konjufca.

Pak më vonë për këtë vendim, njoftoi edhe Presidenca e Kosovës.

“Në shenjë respekti shtetëror, dita e premte, datë 25 mars 2022, shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës për të kujtuar miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright e cila u nda nga jeta dje. Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, ka thënë Presidentja Osmani.

Me vendim të Presidentes, flamujt shtetëror ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Dje në moshën 84-vjeçare ka vdekur mikja e madhe e Kosovës, ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright.

Ajo ishte në krye të diplomacisë amerikane në kohën e luftës në Kosovë dhe njëra prej përkrahësve më të mëdha të sulmeve ushtarake të NATO-s kundër forcave të Serbisë, të cilat po kryenin masakra kundër popullatës shqiptare të Kosovës.

Në shenjë nderimi për kontributin e saj për çlirimin e Kosovës, në Prishtinë është ngritur busti i saj dhe një shesh mban emrin e saj.

Vdes mikja e madhe e Kosovës, Madeleine Albright