Të hyrat vjetore mbi 50 mijë euro, Drejtori i AKP-së blen banesë me kredi

Drejtori Menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj, ka blerë banesë në vlerë prej 70 mijë eurove gjatë vitit të kaluar. Në deklarimin e pasurisë për vitin 2019 në Agjencinë Kundër Korrupsion, Tolaj ka deklaruar se banesën e ka blerë me kredi ndonëse, të hyrat vjetore nga paga në AKP janë plot 52 mijë e 923 euro e 72 cent.

Si pasuri të paluajtshme, Tolaj e ka deklaruar edhe një tokë bujqësore në vlerë prej 22 mijë euro e të cilën e ka blerë në vitin 2009.

Ish-anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Valon Tolaj, ka deklaruar edhe një veturë të tipit “Renault” në vlerë prej 25 mijë eurove e të cilën e ka blerë në vitin 2017 me kredi bankare.

Tolaj ka deklaruar edhe aksione në tri kompani. 50% aksione ka deklaruar në kompaninë “EMP shpk”, 25% të tjera në “Urban Mag.nct shpk” dhe 25% në “BankaDiaspora sh.a”.

Valon Tolaj i ka deklaruar edhe paratë e gatshme. Në një bankë, Tolaj i ka deklaruar si të gatshme 4 mijë e 362 euro ndërsa në një tjetër vetëm 40 euro.

Drejtori i AKP-së është në kredi 63 mijë euro.

Të plotë deklarimin e pasurisë së Valon Tolajt mund ta lexoni këtu.