Sveçla: Rakiq dhe bandat kriminale po i mirëmbajnë barrikadat që kanë bllokuar qytetarët dhe policët

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me situatën në veri ka deklaruar se Goran Rakiq në bashkëpunim me bandat kriminale e të armatosura po i mirëmban barrikadat që kanë bllokuar qytetarët dhe pjesëtarët e Policisë që nga 10 dhjetori.

Sveçla ka thënë se po bëjnë përpjekje maksimale me partnerët e Kosovës për heqjen e barrikadave pa asnjë eskalim të mundshëm, ndërsa, sipas tij, Rakiq dhe të tjerët po i armatosin bandat brenda barrikadave.

Ministri theksoi se këto grupe nuk e kanë mbështetjen e qytetarëve.

Ministri tha se nuk do të ketë kompromis me krimin dhe se kushdo që ka cenuar sigurinë e vendit në çfarëdo forme do të përballet me drejtësinë.

Reagimi i ministrit vjen pas kushteve që lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, ia ka vendosur kryeministrit Albin Kurti për heqjen e barrikadave në rrugët në veri të vendit.

Ky është reagimi i plotë i ministrit Sveçla:

Goran Rakic në bashkëpunim me bandat kriminale e të armatosura po i mirëmbanë barrikadat që kanë bllokuar qytetarët tanë dhe pjesëtarët e policisë së Kosovës tash e 11 ditë.

E vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim.

Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale me partnerët tanë për heqjen e barrikadave pa asnjë eskalim të mundshëm në ndërkohë këta po i armatosin bandat brenda barrikadave.

Nuk kanë mbështetje nga qytetarët serbë në aktet e tyre kriminale prandaj tentojnë t’i frikësojnë me trillime për vrasje e për lista të paqena.

Nuk ka kompromis me krimin. Kushdo që në cilëndo formë ka cënuar sigurinë e vendit tonë do të ballafaqohet me drejtësinë. Kriminelët dhe qytetarët nuk janë në të njejtën anë. Asesi nuk mund të kushtëzohet liria e lëvizjes dhe zhvillimi i të gjithë qytetarëve me lirinë e kriminelëve që me aktet e tyre terroriste kanë rrezikuar para se gjithash të gjithë qytetarët pa dallim.

Policia e Kosovës është një dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve në tërë territorin e Republikës së Kosovës si dhe në shërbim të ligjit që ju kërkon llogaridhënie shkelësve të tij.