Sveçla: Plani ka qenë që ata të zbresin deri në lumin Ibër dhe të shpallin ndonjë autonomi

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kanë gjetur më shumë se 115 uniforma ushtarake gjatë operacionit të Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Sveçla tha se plani i grupit të armatosur ka qenë që të zbresin deri në vijën e “Lumit Ibër” dhe përmes sulmeve të pamundësojnë lëvizjen e Policisë së Kosovës dhe më pas të deklarojnë “ndonjë autonomi”.

“Janë gjetur më shumë se 115 uniforma ushtarake, flitet për rreth 200 persona, potencialisht të rekrutuar apo të rekrutueshëm të cilët do të ishin pjesë e këtij skenari. Plani i tyre sipas të gjitha gjasave ka qenë që ata të zbresin më në jug, deri në vijën e Lumit Ibër” dhe me këtë ata përmes sulmeve të pamundësojnë Policinë e Kosovës të veprojnë lirshëm dhe të deklarojnë, qoftë ndonjë autonomi apo diçka tjetër” – ka thënë ministri i Punëve të Brendshme në një  intervistë për Euronews.al.

Ministri Sveçla ka kërkuar edhe sot nga Serbia që të dorëzojnë terroristët të cilët kanë marrë pjesë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe ndodhen në Serbi.

“Unë dje bëra publike kërkesën, po e përsëris prapë, ne edhe përmes kanaleve zyrtare me asistencën e partnerëve ndërkombëtarë do të kërkojmë që të gjithë ata që kanë qenë pjesë e sulmit ndaj Policisë së Kosovës, qoftë të plagosur apo të pa lënduar duhet t’i dorëzohen Kosovës për t’u përballur me drejtësinë”- ka thënë ai.

Sveçla sot ka deklaruar se Radojçiq ka qenë udhëheqës i grupit terrorist dhe i sulmit në të cilin mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Sveçla ka publikuar pamje në të cilat shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, në mesin e grupit terrorist që sulmuan Policinë e Kosovës, të dielën e 24 shtatorit.

Sveçla tha se Radoiçiq “sipas të gjitha gjasave ndodhet në Spitalin Ushtarak në Beograd”.

“Po, sipas të gjitha gjasave Radojçiq ndodhet në Spitalin Ushtarak në Beograd”.

Aty nuk është ai vetëm. Ka edhe disa të plagosur në Spitalin e Novi Pazarit, qytezë afër kufrit të Kosovës”- ka thënë ai në një intervistë për Euronews.

Një rreshter i Policisë së Kosovës është vrarë në mëngjesin e 24 shtatorit 2023 nga terrositët e grupit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Policia e Kosovës ka konfirmuar vrasjen e së paku tre terrositëve.

Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq, u arrestuan të dielën si të dyshuar për sulmin terrorist, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe u plagos një polic tjetër.