Sveçla: Sipas të gjitha gjasave Radojçiq ndodhet në Spitalin Ushtarak në Beograd

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje në të cilat shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, në mesin e grupit terrorist që sulmuan Policinë e Kosovës, të dielën e 24 shtatorit.

Sveçla tha se Radojçiq “sipas të gjitha gjasave ndodhet në Spitalin Ushtarak në Beograd”.

“Po, sipas të gjitha gjasave Radojçiq ndodhet në Spitalin Ushtarak në Beograd. Aty nuk është ai vetëm. Ka edhe disa të plagosur në spitalin e Novi pazarit, qytezë afër kufrit të Kosovës”- ka thënë ai në një intervistë për Euronews.

Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës ka kërkuar edhe sot nga Serbia që të dorëzoj terroristët të cilët kanë marrë pjesë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës.

“Unë dje bëra publike kërkesën, po e përsëris prapë, ne edhe përmes kanaleve zyrtare me asistencën e partnerëve ndërkombëtarë do të kërkojmë që të gjithë ata që kanë qenë pjesë e sulmit ndaj Policisë së Kosovës, qoftë të plagosur apo të pa lënduar duhet t’i dorëzohen Kosovës për t’u përballur me drejtësinë”- ka thënë ai.

Sveçla sot ka deklaruar se Radojçiq ka qenë udhëheqës i grupit terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Një rreshter i Policisë së Kosovës është vrarë  mëngjesin e datës 24 shtatorit2023 nga terrositët e grupit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Terrositët sulmuan Policinë e Kosovës e më pas u zhvilluan shkëmbime me armë në mes organeve të rendit dhe terrositëve.

Policia e Kosovës ka konfirmuar vrasjen e së paku tre terrositëve ndërsa tre të tjerë janë arrestuar.

Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq, u arrestuan të dielën si të dyshuar për sulmin terrorist ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe u plagos një polic tjetër.

Policia e Kosovës ka gjetur armë të rënda dhe municione gjatë kontrollit në Banjskë të Zveçanit. Ndër to dron dhe automjete të blinduara.