Foto: KALLXO.com

Sveçla për bastisjen në lokalin në objektin e Policisë: OJQ “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” nuk ka respektuar legjislacionin

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar lidhur me bastisjen që ka ndodhur në një lokal që gjendet në ndërtesën ku gjendet stacioni policor “Qendra” në Prishtinë.

Sipas ministrit, sot në mëngjes janë informuar mbi aktivitetin e dyshimtë të një organizate joqeveritare.

“Departamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të MPB-së ka konfirmuar se organizata në fjalë “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve. Pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je” – ka theksuar ministri Sveçla.

Sipas ministrit, pas kësaj informate janë njoftuar institucionet përkatëse të sigurisë dhe, sipas tij, është konfirmuar se e njëjta ka veprimtari ilegale, gjë e cila është vërtetuar pas hyrjes së Policisë dhe Prokurorisë brenda objektit.

“Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit” – ka shtuar ai.