Suspendohen dy policë, nuk mbyllën një lokal që theu masat kundër pandemisë

Dy zyrtarë policorë me inicialet F.H. dhe B.P. janë suspenduar nga puna për shkak se të njëjtit nuk i ishin bindur urdhrave të marrë për të mbyllur një lokal në Prishtinë pasi që i njëjti po thente masat e Qeverisë, duke e mbajtur lokalin pas orës 22:30.

Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se zyrtarët policorë janë njoftuar dhe janë urdhëruar për të mbyllur një lokal në lagjen “Arbëria” por të njëjtit nuk kishin përfillur urdhërin dhe ishin kthyer pas.

Gjithashtu, burimet e KALLXO.com brenda Policisë kanë thënë se pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës, dy policët janë suspenduar.

Veprimet e tilla erdhën pas aksionit të Inspektoratit Policor të Kosovës, aksion ky i nisur ditëve te fundit e që ka për qëllim monitorimin e zyrtarëve policorë të cilët janë angazhuar në luftën kundër pandemisë COVID-19.

KALLXO.com ka raportuar për nisjen e aksionit të IPK-së ndaj zyrtarëve policorë.

IPK në terren, vëzhgon zyrtarët policor për zbatimin e masave kundër COVID-19