Ilustrim

Polici në Vushtrri sulmohet nga qentë endacakë, i gjuan me armë zyrtare

Arma zyrtare e një polici është përdorur në mëngjesin e ditës së djeshme, më 17.03.2024, në Vushtrri.

Kjo, pasi sipas Policisë së Kosovës, zyrtari policor është sulmuar nga një tufë e qenve endacakë.

“Për t’i shpëtuar sulmit dhe lëndimit Polici ka qenë i detyruar të përdorë armën zyrtare, me ç’rast kishte shkrepur një plumb” – ka thënë PK në raportin 24-orësh.

Sipas Policisë, nga shkrepja e armës nuk është rrezikuar askush.

Tutje është njoftuar se në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë dhe se lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe Inspektorati Policor i Kosovës.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me IPK-në. Zëdhënësi i këtij Inspektorati, Arber Beka ka thënë se për rastin janë njoftuar nga Policia dhe se veprimet tjera do të ndërmerren në kuadër të autorizimeve ligjore të IPK-së.