Gjykata Supreme e Kosovës - Foto: KALLXO.com
Supremja e shpall të paligjshëm udhëzimin administrativ për pajisjet elektronike fiskale, reagon Murati
Gjykata Supreme e Kosovës më 07.07.2025 ka nxjerrë një aktgjykim duke e shpallur si të paligjshëm dhe duke e shfuqizuar udhëzimin administrativ për pajisjet elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë të hartuar nga Ministria e Financave.
Ky aktgjykim është nxjerrë pas padisë së bërë nga kompanitë “Eternet” Sh.P.K. dhe “Service Global”, të cilat kishin paditur Ministrinë e Financave.
Kolegji i gjyqtarëve ishte i përbërë nga Delushe Halimi, Lumni Sallauka dhe Franciska Zhitija-Ymeri.
Në padi, këto kompani kanë pretenduar se udhëzimi adminsitrativ për pajisjet elektronike fiskale, i publikuar në Gazetën Zyrtare më 16.04.2025, është nxjerrë në kundërshtim me ligjin, pasi që nuk ishte miratuar nga Qeveria, dhe se është nxjerrë nga një ministër që nuk ka pasur mandat aktiv, për shkak se Qeveria ishte në detyrë dhe se ai ishte certifikuar si deputet.
Po ashtu, në padi kompanitë kanë pretenduar se udhëzimi nuk ishte nënshkruar nga ministri përkatës, duke e bërë publikimin e tij në Gazetën Zyrtare të pavlefshëm dhe pa efekt juridik.
“Paditësi më tej pretendon se ky Udhëzim ka cënuar drejtpërdrejt të drejtat dhe interesat e tij të ligjshme, duke e bërë faktikisht të pavlefshme licencën e vlefshme deri në vitin 2028, për furnizim dhe mirëmbajtje të arkave fiskale. Sipas paditësve, investimet e realizuara me kërkesë të Ministrisë për implementimin e fiskalizimit me arka fiskale, përfshirë blerjen e mbi 4 mijë arkave dhe kontratat me klientë, janë vënë në rrezik të humbjes për shkak të ndryshimit të papritur të sistemit të fiskalizimit dhe kërkesave për kompensim nga konsumatorët” – thuhet në padinë e kompanive.
Gjykata Supreme pas vlerësimit të provave dhe fakteve, në aktgjykimin e saj ka konstatuar se pretendimi se udhëzimi administrativ në fjalë është në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe kushtetuese është i bazuar.
“… gjykata vlerëson se ministri në detyrë përgjegjës për nënshkrimin e aktit nënligjor normativ të kontestuar i ka përfunduar mandati dhe përkatësisht ka qenë ministër në dorëheqje në momentin e nënshkrimit, përkatësist publikimit të tij në Gazetën Zyrtare” – thuhet në aktgjykim.
“Për gjykatën është i pakontestueshëm fakti se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve, me datë 27.03.2025 minsitri Hekuran Murati figuron si deputeti i Kuvendit të Kovoës. Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar”.
Për pasojë, ka thënë Gjykata Supreme, nxjerrja e udhëzimit administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.
Tutje, Gjykata Supreme në aktgjykimin e saj ka thënë se udhëzimi administrativ në fjalë është nxjerrë pa miratimin e Qeverisë, në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë. Sipas Gjykatës, ministri i Financave ka qenë në pozitë të papajtueshme funksionale në kohën e nënshkrimit, duke qenë i certifikuar si deputet, në kundërshtim me nenet 70.2 dhe 71 të Kushtetutës, që sipas Gjykatës Supreme, ndalojnë ushtrimin paralel të funksioneve ekzekutive dhe legjislative.
Gjykata Supreme ka thënë se nuk ka arsyetuar pretendimet e tjera, duke konsideruar se mungesa e autorizimit ligjor në rastin konkret, si dhe konflikti i interesit për nënshkrimin e një akti nënligjor normativ, ishin të mjaftueshme për aprovimin e kërkesë-padisë dhe shpalljen e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e tij e udhëzimit të kontestuar.
“Nga ana tjetër, pala e paditur nuk ka paraqitur asnjë dëshmi relevante që të vërtetojë pretendimet e saj apo të kundërshtojë argumentet e palës kundërshtare” – thuhet në aktgjykim, duke nënkuptuar për Ministrinë e Financave që në këtë rast ka qenë e paditur.
Këtu mund ta gjeni aktgjykimin e plotë të Gjykatës Supreme.
Në ndërkohë, pasi publikimit të këtij aktgjykimi ka reaguar edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
Përmes një postimi në Facebook, Murati ka thënë se vendimi i Gjykatës Supreme është absurd, pasi, sipas tij, me këtë udhëzim administrativ do t’i jepej fund monopolit të arkave fiskale, sipas tij, i vendosur në kohën kur Bedri Hamza ka qenë ministër.
“Mirëpo sot Gjykata Supreme, me gjykatës Delushe Halimi, Lumni Sallauka, dhe Franciska Zhitija-Ymeri, paska vendosur që Udhëzimi Administrativ për arka fiskale digjitale të shfuqizohet. Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit, dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale. Si pasojë e këtij vendimi, bizneset do të vazhdojnë të kenë kosto vjetore prej mbi 5 milionë euro në vit” – ka shkruar ministri Murati.