Ilustrim

Sulmon një zyrtar policor, arrestohet një 29-vjeçar

Zyrtarë policor gjatë ditës së sotme kanë arrestuar një 29-vjeçar me inicialet Ç.Z., pasi që ky i fundit kishte ndërhyrë në detyrat e policisë madje ka sulmuar edhe njërin nga policët.

I dyshuari fillimisht kishte tentuar që të ndërhyjë në një rast ku zyrtarët policorë po shqiptonin një gjobë trafiku për një person tjetër.

E gjithë kjo ka ndodhur mëngjesin e sotëm ndërsa për rastin ka folur edhe zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Borovci për KALLXO.com sqaroi ngjarjen e cila kishte ndodhur në Fushë-Kosovë.

“Sot rreth orës 09:00, njësia policore në pikë kontrolli në hyrje të Fushë Kosovës ka provuar të ndaloj një veturë për një kundërvajtje trafiku. Vozitësi i veturës ka refuzuar identifikimin dhe ndaljen me ç’ rast vrullshëm ka drejtuar veturën e tij në tentativë për ti ikur policisë, porse njësia policore i është vënë pas dhe vetura është ndaluar”, tha Borovci.

Ai shtoi se pas ndalimit të personit të parë ka ndërhyrë i dyshuari 29 vjeçar, i cili deri sa policia ka qenë  duke kryer detyrat e saj në raport me kundërvajtësin, i njëjti me sjelljet dhe veprimet tij ka penguar zyrtarët policor për të ushtruar autorizimet.

“Për më shumë  sjelljet agresive, kërcënuese dhe fyese të këtij personi ndaj policisë edhe pas shoqërimit të tij në stacionin policor kanë vazhduar duke kulmuar me sulmin fizik të bërë ndaj zyrtarit policor”, shtoi Borovci.

Tutje ai tha se një zyrtar policor ka marrë lëndime trupore.

“Për pasojë nga ky sulm zyrtari policor ka marrë lëndime trupore për çfarë i është ofruar ndihma mjekësore. Policia ka shqiptuar masën e arrestit policor, ka iniciuar një hetim për pengim ndaj personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare dhe me rekomandimin e prokurorit të shtetit i njëjti është dërguar në mbajtje prej 48 orësh”, ka thënë Borovci.