Sulmi terrorist në Banjskë, Haradinaj kërkon hetim ndërkombëtar

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kërkuar hetim ndërkombëtar për sulmin terrorist nga grupi i armatosur serb që ndodhi të dielën në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Situata e krijuar si rezultat i përfshirjes së drejtpërdrejt të Serbisë në sulmet e armatosura të grupeve kriminale në veri, kërkon hetim ndërkombëtar”- ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sipas tij, ngjarjet në veri dhe sulmi terrorist mbi Policinë e Kosovës, janë pjesë e skenarit të përgatitur në Beograd.

“Reagimi i Policisë së Kosovës është përmbushje e detyrës për të mbrojtur rendin dhe ligjin. Qëndrimi i Qeverisë së Serbisë dhe rreshtimi i saj krah grupeve kriminale e paraushtarake, është tejet shqetësues në këtë situatë dhe është sinjal i qartë se shteti i Serbisë është përfshirë në sulmet e armatosura të grupeve kriminale në veri”- ka shkruar tutje ai.

“Prandaj në një situatë të tillë është i domosdoshëm një hetim ndërkombëtar për të zbardhur skenaret e destabilizimit të situatës jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin e Ballkanit”- ka theksuar Haradinaj.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve dhe dy janë arrestuar mbrëmë në një hotel në afërsi të Banjkës.

Policia dje prezantoi armatimin e gjetur pas këtij aksioni, dhe në mesin e gjërave të gjetura janë edhe disa dokumente që i përkasin nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje në të cilat shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, në mesin e grupit terrorist që sulmuan Policinë e Kosovës, të dielën e 24 shtatorit.

Ministri Sveçla ka thënë se Radojçiq ka qenë udhëheqës i grupit terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.