Peter Stano

Sulmi terrorist në Banjskë, BE ende në pritje të rezultateve finale nga hetimet e Kosovës

Kanë kaluar katër muaj që nga sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Përderisa hetimet për këtë rast ende po vazhdojnë, Bashkimi Europian thotë se janë në pritje të raportit final, në bazë të të cilit do të japin “pasojat e nevojshme, pa komentuar vërejtjet që bëhen nga çdokush.”

Kjo u bë e ditur nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili deklaroi se janë në pritje të raportit final, duke theksuar se hetimet zyrtare janë në dorë të Kosovës.

“Për Banjskën nuk kam diçka të re që mund të them. BE-ja ende pret raportin final të hetimit që po bëhet nga autoritetet kosovare. Hetimet zyrtare janë në dorë të autoriteteve të Kosovës. Sapo të shohim rezultatet finale, ne sigurisht që do i analizojmë, rishikojmë ato dhe do të nxjerrim pasojat e nevojshme pa komentuar vërejtjet individuale nga askush në një kontekst specifik”- deklaroi Stano në një konferencë për media.

Stano tha se presin bashkëpunim të pakushtëzuar nga të gjithë ata që mund të kontribuojnë për të hedhur dritë mbi atë që ka ndodhur.

“Është shumë e qartë se BE-ja pret një bashkëpunim të pakushtëzuar nga të gjithë ata që mund të kontribuojnë për të hedhur dritë mbi atë që ka ndodhur në të vërtetë, kush janë bashkëpunëtorët, kush e organizoi dhe kush mori pjesë. Qëndrimi ynë është shumë i qartë”- theksoi ai.

Në orët e para të 24 shtatorit 2023, një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese. Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.

Në kundërpërgjigjen e Policisë, disa terroristë u vranë, disa u plagosën, e disa u arrestuan, kurse shumica e anëtarëve të grupit iku në Serbi.

Katër muaj pas këtij sulmi, hetimet ende po vazhdojnë.

Sulmin e grupit ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar shumë shtete e organizata ndërkombëtare, disa prej të cilëve e kanë cilësuar si terrorist.

Millan Radoiçiq, i cili deklaroi publikisht se i priu grupit që organizoi sulmin terrorist në Banjskë, tashmë ka zënë vend në listën e personave të cilët kërkohen nga INTERPOL-i.