Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: ZKM

Sulmi në Banjskë, Kurti kritikon Prokurorinë e Shtetit që s’ngriti aktakuza

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kritikuar Prokurorinë që sipas tij, përkundër fakteve të siguruara nga institucionet e sigurisë, nuk ngriti asnjë aktakuzë për sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Ai ka thënë se mos ngritja e asnjë aktakuze dhe as informimi mbi këtë çështje, është e pakuptueshme.

“Ka pa numër fakte, dëshmi, pra të mjaftueshme për të ngritur aktakuza, Ky vit ishte vit i sulmeve kriminale, ka shpërputhje midis informacionit, fakteve dhe aktakuzave në anën tjetër. Dhe, ky hendek nuk mund të mbushet nga Qeveria, i takon Prokurorisë, unë jam për të ndihmuar, dhe ata për të punuar”- theksoi kryeministri Kurti gjatë një konference për media së bashku me ministrin, Xhelal Sveçla ku edhe shpalosën disa detaje mbi sulmin e 24 shtatorit.

Kurti, gjatë konferencës gjithashtu tha se ish-zyrtari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq po përgatit sulme të reja në Kosovë.

“Radoiçiq po vazhdon përgatitjet për sulme të reja ndaj Kosovës, po mban takime sekrete në BIA.  Pjesëtarë terroristë  po paguhen nga dy mijë euro, ata po strehohen në objektet e tij. Planet për sulme tentojnë destabilizimin e vendit tonë. Në vend se të dorëzon terroristët, Serbia po shfrytëzon ata për sulme të reja. Terrorizimi është sfidë për ne, por nuk do të triumfojë” – deklaroi të shtunën Albin Kurti.

Kurti: Radoiçiq po përgadit sulme të reja në Kosovë