Vetura e thyer e RTK-së në Zveçan. Foto: AGK

Sulmi ndaj ekipit të RTK-së në Zveçan, veturës iu vodhën edhe targat

Ekipi i Radio Televizionit të Kosovës është sulmuar dje në Zveçan nga disa persona të cilët kanë gjuajtur me tulla në drejtim të veturës, si dhe i kanë shpërthyer gomat.

Derisa vetura ka qenë e parkuar, në raportin e Policisë thuhet se tri gomat e veturës janë dëmtuar, janë thyer xhamat e saj dhe po ashtu janë vjedhur targat e veturës.

Në lidhje me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.

Gazetarja e këtij televizioni, Arbresha Berisha, kameramanët Ilir Uka dhe Bardh Bekteshi, si dhe inxhinieri, Mentor Vinarci kanë qenë pjesë e ekipit që ishte duke raportuar nga atje, por fatmirësisht të njëjtit nuk kanë pësuar lëndime.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili ka thënë se këto sulme janë të papranueshme dhe shumë shqetësuese.

“Në një interval prej dy javësh sulmet kanë shënuar ngritje të paprecedentë deri tani” – ka thënë AGK.

Tutje Asociacioni ka ftuar organet e rendit, vendore dhe ndërkombëtare, që të garantojnë siguri për ekipet e mediave, të cilat po raportojnë mbi tensionet në komunat veriore të vendit.

Sulmohet ekipi i RTK-së në Zveçan