Vetura e thyer e RTK-së në Zveçan. Foto: AGK
Sulmohet ekipi i RTK-së në Zveçan
Ekipi i Transmetuesit Publik, Radio Televizionit të Kosovës – RTK është sulmuar në Zveçan.
Vetura e ekipit është sulmuar nga disa persona të cilët kanë gjuajtur me tulla në drejtim të veturës, si dhe i kanë shpërthyer gomat.
Gazetarja e këtij televizioni, Arbresha Berisha, kameramanët Ilir Uka dhe Bardh Bekteshi, si dhe inxhinieri, Mentor Vinarci kanë qenë pjesë e ekipit që ishte duke raportuar nga atje, por fatmirësisht të njëjtit nuk kanë pësuar lëndime.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili ka thënë se këto sulme janë të papranueshme dhe shumë shqetësuese.
“Në një interval prej dy javësh sulmet kanë shënuar ngritje të paprecedentë deri tani” – ka thënë AGK.
Tutje Asociacioni ka ftuar organet e rendit, vendore dhe ndërkombëtare, që të garantojnë siguri për ekipet e mediave, të cilat po raportojnë mbi tensionet në komunat veriore të vendit.
Që nga 26 maji situata është e tensionuar në veri të vendit, kjo pasi qytetarët serb po kundërshtojnë futjen e kryetarëve të rinj në ndërtesat e komunave në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.
Ekipe të gazetarëve të mediave të ndryshme e vetura të Policisë së Kosovës vazhdimisht janë dëmtuar nga ana e qytetarëve në këtë zonë.
Këto sulme janë bërë edhe në drejtim të ekipeve të KALLXO.com.