Sulmi i grupeve terroriste në Banjskë, reagon qeveria e Kroacisë

Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë ka dënuar sulmin e sotëm drejt policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku një zyrtar policor mbeti i vdekur dhe dy të plagosur.

Përmes rrjetit Twitter, Ministria e Punëve të Jashtme të Kroacisë ka bërë thirrje që autorët të sillen urgjentisht para drejtësisë.

“Dënojmë fuqishëm sulmin e dhunshëm ndaj policisë së Kosovës herët në mëngjes. Ngushëllimet tona të përzemërta familjes së policit të vrarë gjatë kryerjes së detyrës dhe shërim të shpejtë për efektivin e plagosur. Autorët duhet të sillen urgjentisht para drejtësisë”- thuhet në njoftim.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe një tjetër i uniformuar dhe i armatosur është arrestuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.