Studimi: Fjetja më pak se pesë orë në natë mund ta rrisë rrezikun e depresionit  

Kohëzgjatja e shkurtër e vazhdueshme e gjumit ka më shumë gjasa t’i paraprijë simptomat sesa e kundërta, tregojnë të dhënat gjenetike.

Fjetja më pak se pesë orë në natë mund ta rrisë rrezikun e shfaqjes së simptomave të depresionit, sugjeron një hulumtim i bërë .

Lidhja midis gjumit të dobët dhe shëndetit të keq mendor është e njohur mirë, mirëpo ka qenë e paqartë se cili problem priret të vijë i pari. Tani shkencëtarët kanë gjetur prova se gjumi i shkurtër i vazhdueshëm gjatë natës mund të jetë një pararendës për zhvillimin e simptomave depresive.

“E kemi këtë skenarin e pulës ose vezëve midis kohëzgjatjes së gjumit jo optimale dhe depresionit. Ato shpesh ndodhin bashkë, por ajo që vjen e para është kryesisht e pazgjidhur. Duke e përdorur ndjeshmërinë gjenetike ndaj sëmundjeve, ne kemi përcaktuar se gjumi ka të ngjarë t’i paraprijë simptomat depresive, në vend se anasjelltas,” thotë Odessa Hamilton, kandidate për doktoraturë në UCL dhe autorja e parë e hulumtimit të lartcekur.

Studiuesit i shikuan të dhënat gjenetike dhe shëndetësore nga 7,146 njerëz të rekrutuar nga Studimi Longitudinal Anglez i Plakjes (ELSA) (English Longitudinal Study of Ageing). Si kohëzgjatja e gjumit ashtu edhe depresioni janë pjesërisht të trashëguara. Hulumtimet e mëparshme tregojnë se depresioni është rreth 35% i trashëgueshëm dhe se dallimet gjenetike përbëjnë 40% të variancës në kohëzgjatjen e gjumit.

Kur subjektet e studimit u gjurmuan me kalimin e kohës, studiuesit zbuluan se njerëzit që ishin gjenetikisht të predispozuar për gjumë të shkurtër (më pak se pesë orë në natë) kishin më shumë gjasa të zhvillonin simptoma depresive gjatë katër deri në 12 vjet, por se njerëzit më të predispozuar gjenetikisht për depresion nuk kishin më shumë gjasa të vuajë nga problemet me gjumin.

Në përgjithësi, pjesëmarrësit në studim bënin mesatarisht shtatë orë gjumë në natë. Më shumë se 10% flinin për më pak se pesë orë në natë në fillim të periudhës së studimit, duke u rritur në më shumë se 15% në fund të periudhës së studimit dhe përqindja e pjesëmarrësve të klasifikuar si me simptoma depresive u rrit nga rreth 9% në 11%.

Njerëzit që flinin pesë orë ose më pak kishin 2.5 herë më shumë gjasa të zhvillonin simptoma depresive, ndërsa njerëzit me simptoma depresive kishin një të tretën më shumë gjasa të vuanin nga gjumi i shkurtër.

Gjetjet mund ta paraqesin një perspektivë të zymtë për ata që tashmë po përballen me shqetësimet e gjumit. Megjithatë, Hamilton thotë se gjumi i dobët ose depresioni nuk duhet të shihen si rezultate të pashmangshme dhe se gjetjet e nënvizuan rëndësinë e gjumit për një shëndet të mirë mendor.

“Këshilla ime do të ishte t’i jepni përparësi gjumit dhe ta shmangni zvarritjen e gjumit. Ekziston një thënie e zakonshme në gjenetikë që gjenet e ngarkojnë armën dhe mjedisi e tërheq këmbëzën. Mund të jeni të predispozuar gjenetikisht për këtë, por mund të ndërmerrni hapa për ta zbutur rrezikun.”/The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala