Ilustrim: Depresioni - Foto: REL / TZIDO SUN Shutterstock
Masat parandaluese kundër depresionit
Depresioni përshkruhet si çrregullim mendor, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Një person që është në këtë situatë përballet me mërzi të vazhdueshme dhe mungesë të interesimit për aktivitetet që dikur i ka shijuar.
Në Kosovë nuk ka të dhëna sa persona vuajnë nga depresioni.
Në botë, një në shtatë persona të moshës 10-19 vjeç përballet me një çrregullim mendor, duke përfshirë këtu depresionin, thotë OBSH-ja.
Sipas psikoterapeutit Vigan Behluli, shkaqet që çojnë në depresion ndahen në dy kategori: faktorët biologjikë dhe kushtet e ambientit.
“Faktorët biologjikë, janë diçka në funksionimin e individit, në aspektin e individit nuk është duke funksionuar biokimia, d.m.th. neurotransmetuesit nuk janë duke komunikuar në mënyrën e duhur. Rrethana tjera, të cilat ndikojnë janë: kushtet e ambientit, si rritet një adoleshent, një fëmijë në këtë rast. Ekspozimi ndaj traumës, përjetimet e vështira në një moshë, e cila karakterizohet me tranzicione të shumta çfarë është fëmijëria dhe adoleshenca”.
Diagnostikimi i depresionit duhet të bëhet nga persona të specializuar.
Prandaj, nuk duhet të ngatërrohet depresioni me gjendjet jostabile momentale, me të cilat mund të përballen të rinjtë.
Nëse një i ri apo e re vendos të mos shkojë në shkollë apo fakultet një ditë, është në rregull dhe tolerohet, mirëpo nëse humb rutinën dhe ka mendime skajshmërisht negative, është koha për alarm.
Behluli thotë se simptomat e depresionit janë të ashpra dhe ato cenojnë seriozisht funksionalitetin e individit.
“Po nënkuptoj që i riu, individi, nuk mund t’i kryejë procedurat e përditshme – d.m.th. prej shkuarjes në shkollë e deri te mirëmbajtja e higjienës personale – në mungesë të vullnetit, në mungesë të motivit dhe thjesht fuqisë mendore që të kryhet një rutinë të tillë”, thotë ai.
Kush ofron ndihmë në Kosovë?
Linja e Jetës është qendër telefonike në Kosovë që ofron ndihmë për personat që kanë mendime për vetëvrasje, apo që vuajnë nga depresioni apo ankthi.
Linja telefonike 0800 12345 funksionon nga ora 10:00 deri në 02:00 të mëngjesit çdo ditë.
Të gjitha të dhënat e telefonuesve mbesin konfidenciale.
Bind Skeja, themelues i kësaj platforme thotë për Radion Evropa e Lirë se, krahas rreth 60 vullnetarëve të trajnuar, aty gjenden edhe disa psikologë që sigurohen se gjithçka shkon mirë.
“E kemi një ekip të psikologëve, të cilët janë të backgroundeve të ndryshme dhe shërbejnë në kapacitetin e mbikëqyrësit. Këta sigurohen që vullnetarët të mbajnë një nivel të profesionalizmit dhe sigurohen që informatat që ndahen janë të sakta. Edhe pse nuk e dëgjojnë drejtpërdrejt thirrjen, [janë vëzhgues] ata janë të gatshëm për të ofruar ndihmë nëse ka nevojë, të përfshihen”.
Pas ofrimit të ndihmës fillestare, vullnetarët e Linjës së Jetës i këshillojnë personat që kërkojnë ndihmë në institucionet tjera për të marrë ndihmë afatgjatë.
Disa prej klinikave që ofrojnë këto shërbime janë: Uni, DOTS Counseling Diakonia, Empatia e tjera.
Por, jo të gjithë e kanë kurajën të thërrasin në telefon.
Prandaj, Departamenti i Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, në bashkëpunimin me Institutin e Psikologjisë janë duke punuar në aplikacionin e parë psiko-edukues për shëndetin mendor në gjuhën shqipe, Mbështetu.
Dorentina Podrimqaku nga grupi punues në këtë aplikacion, tregon se aty mund të kontaktohen vullnetarët e platformës përmes shkrimit, për të shprehur shqetësimet:
“Aty do të ketë informacione për depresion, ankth. Do të ketë informacione për çrregullime të shëndetit mendor, por përveç asaj do të ketë edhe mënyra sesi njerëzit do të mund të kujdesen për një person i cili ka ankth, për mënyrën si të kujdesen për veten dhe çfarë duhet apo çfarë nuk duhet me të bëjnë”.
Edhe të dhënat që mund të jepen në këtë aplikacion do të mbeten tërësisht konfidenciale.
Aplikacioni pritet të lansohet në muajin mars apo prill të këtij viti.
Trajtimi dhe parandalimi
Kohëzgjatja që i duhet një personi për ta trajtuar depresionin është subjektive.
Kryesisht për të rinjtë sugjerohen trajtimet psikologjike ballë për ballë apo në grup dhe jo aq shumë antidepresantët.
Psikoterapeuti Vigan Behluli thotë për Radion Evropa e Lirë se është shumë e rëndësishme që një person të mos qortohet pse nuk po mund të nxjerrë veten prej asaj situate:
“Me hapa të ngadalshëm, hapa që kanë nevojë për një rrjet të tërë të përkahjes nga rrethi, një i ri të mund të rimarrë veten dhe të hyjë në një cikël të ndryshimeve, të cilat janë të nevojshme për ta kthyer funksionalitetin e vet”.
Për të mos u përballur me gjendje të tilla – ndonëse për disa janë të pashmangshme – psikologët sugjerojnë që të fokusoheni në krijim të shprehive të mira.
Cilat janë ato?
Të krijoni lidhje sociale që janë dobiprurëse për të dyja palët
Të angazhoheni në aktivitetet jashtë-mësimore
Të keni aktivitet fizik
Të merrni pjesë në aktivitetet që bëhen në natyrë, dhe
Të krijoni lidhje sociale për të cilat kanë nevojë njerëzit
Në mungesë të kontakteve fizike dhe duke studiuar në distancë për muaj, shumë të rinj janë ndier të izoluar dhe të zemëruar disa muaj pasi ka shpërthyer pandemia e koronavirusit.
Disa adoleshentë nga Kosova të intervistuar nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) për ndikimin e pandemisë tek ata, kanë treguar se janë përballur me rritje të frikës, ankthit dhe vetmisë, sidomos gjatë izolimit.
Psikologët thonë se është shumë e rëndësishme që njerëzit që vuajnë nga depresioni të mos harrojnë se nuk janë asnjëherë vetëm.
Ka gjithmonë njerëz dhe organizata të ndryshme që duan të ndihmojnë./REL