Ilustrimi: Jeta Dobranja për Kallxo.com

Specializantët paralajmërojnë protestë të enjten

Specializantët me financim të rregullt dhe me vetëfinancim kanë paralajmëruar protestë nëse nuk arrijnë të takohen nesër deri në orën 16:00 me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Vendimi për protestë është marrë dje në mbledhjen e Këshillit të Specializantëve.

Protesta pritet të fillojë në ora 09:00 para Ministrisë së Shëndetësisë.

Uran Halimi, njëri nga përfaqësuesit e specializantëve me vetëfinancim, thotë se në mbledhje po ashtu është vendosur se përfaqësuesit e specializantëve janë të obliguar të njoftojnë drejtorët e klinikave 24 orë më parë për pjesëmarrjen në protestë, të sigurojnë mikpritjen dhe mbledhjen për grupet punuese me specializantët e klinikës që ata përfaqësojnë.

“Të njoftojnë specializantët për “Maratonën e Dinjitetit të Specializantëve””, thotë specializanti Halimi për KALLXO.com.

Specializantët me vetëfinancim kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që t’i përfshijnë në paga të rregullta.

Para Ministrisë së Shëndetësisë përveç specializantëve me vetëfinancim do të protestojnë edhe specializantët e rregullt, kërkesa e tyre është që të paguhen për kujdestaritë.

Edhe javë më parë specializantët me vetëfinancim kanë mbajtur protestë para objektit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në anën tjetër, sot në Komisionin për buxhet dhe financa nuk janë miratuar kërkesat e specializantëve.

Në korrik të vitit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë në krye me Armend Zemaj hapi konkursin për shkollim specialistik në nivel vendi. Procesi i specializimit të mjekëve nuk ishte bërë për katër vite. Në atë konkurs kishin aplikuar mbi 1 mijë mjekë.

Ndarja e buxhetit për specializantët me vetëfinancim bëhet në kuadër të ndarjeve të subvencioneve por jo nga buxheti i rregullt i Qeverisë së Kosovës, ndërsa kërkesa e specializantëve me vetëfinancim është që të hyjnë në paga të rregullta, pra të ndahet buxhet i veçantë për ta.

Në anën tjetër, nga Ministria e Shëndetësisë për KALLXO.com thonë se për subvencionimin e specializantëve me vetëfinancim kanë ndarë 2,8 milionë euro.

Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, në shtatë spitalet rajonale në vend janë 661 mjekë specialistë.

Specializantët me vetëfinancim paralajmërojnë protestë pasi Qeveria nuk ndau buxhet për ta