Specializantët me vetëfinancim paralajmërojnë protestë pasi Qeveria nuk ndau buxhet për ta

Në vazhdën e protestave të cilat janë organizuar javëve të fundit nga shumë sindikata në vend, këtë rrugë do ta ndjekin edhe specializantët me vetëfinancim.

Ata janë të pakënaqur me faktin që në buxhetin e vitit 2022 Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë buxhet për ata.

Për të shprehur pakënaqësinë e tyre, specializantët me vetëfinancim nesër (e enjte) do të protestojnë para objektit të Qeverisë.

Uran Halimi, njëri ndër organizatorët e protestës, thotë se protesta do të fillojë në ora 09:00 dhe se fillimisht specializantët me vetëfinancim do të takohen tek Administrata e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për të vazhduar pastaj për në objektin e Qeverisë së Kosovës dhe në fund për në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ai sqaron për KALLXO.com se plani i tyre ka qenë që të qëndrojnë në tenda përpara objektit të Ministrisë së Shëndetësisë, mirëpo moti i ftohtë ua ka ndërruar planet.

Tash e një kohë të gjatë specializantët me vetëfinancim kanë adresuar ankesat e tyre edhe te krerët më të lartë të shtetit mirëpo ata thonë se asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.

Në korrik të vitit të kaluar Ministria e Shëndetësisë në krye me Armend Zemaj hapi konkursin për shkollim specialistik në nivel vendi. Procesi i specializimit të mjekëve nuk ishte bërë për katër vite. Në atë konkurs kishin aplikuar mbi 1 mijë mjekë.

Ndarja e buxhetit për specializantët me vetëfinancim bëhet në kuadër të ndarjeve të subvencioneve por jo nga buxheti i rregullt i Qeverisë së Kosovës, ndërsa kërkesa e specializantëve me vetëfinancim është që të hynë në paga të rregullta, pra të ndahet buxhet i veçantë për ta.

Në anën tjetër, nga Ministria e Shëndetësisë për KALLXO.com thonë se për subvencionimin e specializantëve me vetëfinancim kanë ndarë 2,8 milionë euro.

Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, në shtatë spitalet rajonale në vend janë 661 mjekë specialistë.

Specializantët paralajmërojnë protestë nëse nuk ndahet buxhet për ta

Specializantët paralajmërojnë protestë nëse nuk ndahet buxhet për ta