Spahiu: FSK gjithmonë mundohet ta forcojë rolin e gruas në ushtri

Inspektorja e Përgjithshme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneralmajor Irfete Spahiu, ka thënë se në strukturat e kësaj forca ka prezencë standarde të grave duke theksuar se trajtimi i tyre në ushtri është i barabartë me atë të burrave.

“FSK është një forcë multienike, profesionale dhe e armatosur, është forcë e ndërtuar sipas standardeve të NATO-s. Që nga viti 2009, gjinia femërore ka pasur prezencë standarde në strukturën e FSK-së, sot është 11.3 në pjesëmarrje nga numri i përgjithshëm në FSK, të gjitha këto ushtare kanë kaluar nëpër gradim sikur kolegët e tyre meshkuj” – tha ajo.

Në fjalën e saj në kuadër të Seminarit Rose Roth, Spahiu tha që prezenca e gruas në ushtri dhe në institucione është e domosdoshme.

“Sot në FSK mund të gjeni gra e vajza të cilat punojnë në të gjithë sektorët e FSK-së. Në bazë të përvojës disavjeçare mendoj se përfaqësimi i gjinisë femërore në siguri, në këtë rast në ushtri është i domosdoshëm sepse duhet të jenë pjesë kritike e paqeruajtës” – shtoi ajo.

Sipas saj, FSK-ja vazhdimisht mundohet ta forcojë rolin e gruas në ushtri, duke thënë se janë në rrugën e duhur për këtë.

“FSK mundohet gjithmonë të përforcojë rolin e femrës në ushtri. Sot kemi femra të sistemuara në të gjitha gradat, ushtarake të suksesshme, nënoficere e instruktore të devotshme. Trajtimi i gjinisë femërore në kuadër të FSK-së është në rrugën e duhur, prandaj jo më kot FSK është zgjedhur institucioni më i besueshëm në Kosovë për vite të tëra“ – tha ajo.

Sot po mbahet dita e tretë e Seminarit Rose-Roth, i cili organizohet në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, nën udhëheqjen e kryetarit të Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s, deputetit Driton Hyseni, si dhe me përkrahjen e Qeverisë zvicerane e të Qendrës së Gjenevës për Qeverisje të Sektorit të Sigurisë (DCAF), së bashku me Komisionin për Ekonomi dhe Siguri.

Qëllimi kryesor i seminareve Rose-Roth është lehtësimi i dialogut që lidhet me çështjet e sigurisë rajonale, në mesin e ligjvënësve të NATO-s dhe vendeve partnere.