(Arkiv) Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt - FOTO-KALLXO.com

Sot pritet të mbahet gjykimi ndaj të akuzuarit për vrasjen e Agonis Tetajt

Pas vendimit të shkallës së dytë, që prishi aktgjykimin dënues ndaj Shaban Gogajt, të cilin e kishte dënuar me pesë vjet dënim me burgim për vrasjen nga pakujdesia të Agonis Tetajt, rasti tashmë ndodhet në rigjykim.

Që nga kthimi i rastit në pikën zero, asnjë seancë deri më sot nuk kishte arritur të mbahet.

Seanca më 22 maj nuk ishte mbajtur, pasi Isuf Cacaj i akuzuar për armëmbajtje në këtë rast, nuk kishte angazhuar avokat. Gjë që sipas ndryshimeve të fundit që janë bërë në Kodin e procedurës penale të Kosovës, mbrojtja është e detyrueshme për veprën penale të dënueshme deri në 5 vjet dënim me burgim.

Kurse dy herë të tjera gjykimi ka dështuar të fillojë për arsye të avokatit mbrojtës të Gogajt, Besnik Berishës.

Seanca gjyqësore e paraparë të mbahej me 14 korrik, nuk ishte mbajtur pas zhvillimeve të fundit që kishin rezultuar me arrestimin e Berishës.

Kurse seanca që ishte caktuar të mbahej më 28 korrik, nuk ishte mbajtur për arsye personale të mbrojtësit Berisha, pas i njëjti kishte një rast vdekje në familje.

Përndryshe familja e Tetajt, kishin njoftuar gjykatën se nuk do të ndjekin këtë gjykim pasi i quajnë banale arsyet e zvarritjes së procedurës dhe shprehin se ndihen të maltretuar nga ky proces gjyqësor.

Për këtë arsye ata kanë njoftuar gjykatën se nuk do të marrin më pjesë në seancat lidhur me gjykimin e kësaj çështje.

Sipas aktakuzës se prokurorisë, në vitin 2019, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stoqeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karriga e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër, e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Të gjitha raportimet për vrasjen e Agonis Tetajt mund t’i gjeni KËTU.