Thaçi thirrje urgjente qeverisë që ta përmbush kërkesën amerikane për heqjen e tarifës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka bërë thirrje urgjente qeverisë së vendit që të marrë vendim në përputhje me kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke aluduar në heqjen e tarifës 100 për qind për mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Sipas Thaçit, me këtë qasje të qeverisë, po vihet në pikëpyetje edhe e ardhmja e Kosovës.

“Si President i Republikës së Kosovës i kërkoj urgjentisht Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të mblidhet dhe të marrë vendime në përputhje me kërkesat zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mjaft e keni cenuar lidhjen tonë speciale me SHBA-në, pa të cilën nuk do ta kishim as lirinë, as shtetin dhe as të ardhmen. Me këtë qasje po vihet në pikëpyetje edhe vetë e ardhmja e shtetit tonë”, ka shkruar presidenti në Facebook.

Thaçi ka shtuar se raportet me ShBA-në janë jetike.

“Të gjithë ne, krerë institucionesh, liderë politikë apo qeveri, jemi të zëvendësueshëm. Por, jetike dhe të pazëvendësueshme për Republikën e Kosovës janë vetëm raportet me SHBA-në. Konfrontimi me SHBA-në është shumë i dëmshëm dhe një gabim i pafalshëm në historinë moderne të Kosovës”, thuhet në publikimin e presidentit.

Si President i Republikës së Kosovës i kërkoj urgjentisht Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të mblidhet dhe të marrë…

Publiée par Hashim Thaçi sur Mardi 10 mars 2020

Reagimi i Thaçit vjen pasi Donald Trump Junior, i biri i Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, e ka mbështetur kërkesën e senatorit amerikan David Perdue, për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.

Sot, David Perdue, senator amerikan, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta largojë tarifën ndaj mallrave të Serbisë.

“Për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, me përparimin historik në horizont, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha tarifat e vendosura ndaj Serbisë”, ka shkruar në Twitter, senatori Perdue që vjen nga Partia Republikane të cilës i përket edhe Presidenti Donald Trump.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, muajin e kaluar ka thënë se pas konsultës me institucione të ndryshme, ka ardh në përfundim që nga 15 marsit të hiqet tarifa 100 për qind ndaj lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.