Situatë e rënduar nga zjarret në Greqi
Më shumë se 600 zjarrfikës, përfshirë përforcime nga disa vende evropiane, të mbështetur nga një flotë avionësh dhe helikopterësh që hedhin ujë, po luftonin të dielën me tre vatra të mëdha zjarri në Greqi, dy prej të cilave vazhdojnë të jenë të ndezura prej ditësh.
Një zjarr masiv në rajonet verilindore të vendit, në Evros dhe Aleksandoupolis, që besohet se është bërë shkak për 20 nga 21 vdekjet e lidhura me zjarret në Greqi, vazhdon të digjet për të nëntën ditë me radhë.
Zjarret kanë shkatërruar sipërfaqe të mëdha pyjesh dhe kanë djegur shtëpi në zonat periferike të qytetit të Aleksandropolis.
Në një njoftim të dielën Shërbimi i Menaxhimit të Emergjencave të Bashkimit Evropian ‘Copernicus’ tha se zjarret kanë djegur 77,000 hektarë tokë dhe se 120 pika mbeten ende aktive. ‘Copernicus’ përdor imazhet satelitore për të ofruar të dhëna.
Papa Françesku, duke iu drejtuar publikut në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan të dielën u lut për viktimat e zjarreve në Greqi.
Në skajet veriperëndimore të kryeqytetit grek, një tjetër zjarr i madh vazhdon të digjet prej ditësh, duke shkatërruar shtëpi e djegur parkun kombëtar në malin Parnitha, një nga zonat e fundit të gjelbra pranë Athinës. Departamenti i zjarrfikësve tha se 260 zjarrfikës, një avion dhe tre helikopterë po vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll situatën.
Një zjarr i tretë i madh nisi të shtunën në ishullin Andros. Situata vazhdon të jetë jashtë kontrollit dhe 73 zjarrfikës, dy aeroplanë dhe dy helikopterë po bënin edhe sot përpjekje për ta shuar atë. Mendohet se zjarri ishte shkaktuar nga një rrufe.
Nisur nga situata e vështirë në terren forcat Greqia ka kërkuar ndihmë nga vendet e tjera evropiane. Gjermania, Suedia, Kroacia dhe Qiproja kanë dërguar avionë, ndërsa dhjetëra zjarrfikës rumunë, francezë, çekë, bullgarë, shqiptarë, sllovakë dhe serbë po ndihmojnë autoritetet greke./VOA