Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Situata e sigurisë në vend, Haradinaj: Kosova në NATO, është zgjidhja tani

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se zgjidhja më e mirë për Kosovës është anëtarësimi në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, NATO.

Ish-kryeministri kosovar vlerëson se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, duhet ta angazhojë Forcën e Sigurisë së Kosovës në patrullime të përbashkëta dhe të bashkëpunojë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

“Ftesa për Kosovën në NATO, anëtarësimi i menjëhershëm dhe i plotë është zgjidhja. KFOR ta angazhojë FSK-në në patrullime të përbashkëta dhe të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Eulex-in. Të gjitha institucionet e sigurisë të bashkohen për të mos lejuar që situata të dalë jashtë kontrolli, si në aspektin politik, të sigurisë dhe në ekonomi”- ka shkruar Haradianj në Facebook.

“Kosova në NATO, është zgjidhja tani! Agresioni rus ndaj Ukrainës e konfirmon këtë”- thekson i pari i AAK-së.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë javën e ardhshme pas tensioneve mes fqinjëve ballkanikë, tha të premten aleanca ushtarake.

Stoltenberg do të shkojë në Kosovë të hënën për bisedime me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani para se të vizitojë paqeruajtësit e aleancës së NATO-s të vendosur në Kosovë.

Shefi i NATO-s do të vizitojë javën e ardhshme Kosovën dhe Serbinë