Sindikata e Punëtorëve Teknik: Pagat në QKUK janë rritur, u mbetet punëtorëve të pranojnë apo refuzojnë

Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat (FSPTSPK) ka njoftuar se punëtorëve teknik në QKUK u është rritur paga bazë, ndërsa sipas njoftimit, tash u mbetet atyre që ta pranojnë apo refuzojnë këtë rritje.

Njoftimin e ka publikuar kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në të cilin njoftim thuhet se me tenderin e ri që është publikuar, nga 275 euro sa ka qenë deri më tani, paga e këtyre punëtorëve do të jetë 402 euro. Megjithëse, sipas Sindikatës, kërkesa e punëtorëve ka qenë që paga të jetë 450 euro.

“Mund të themi se nuk është ajo që e kemi kërkuar ne, por është për t`u çmuar pasi që kërkesa jonë ka qenë 450 euro dhe na janë ofruar 402” – thuhet në njoftim.

Tutje Sindikata ka thënë se po të ishte në fuqi edhe Marrëveshja Kolektive, kjo pagë do të arrinte së paku shumën e 470 eurove, për të cilën shumë është thënë se do të vazhdohet të kërkohet përmes mjeteve sindikale.

Punëtorët teknik në QKUK që paguhen nga kompani private, kompani të cilat marrin tenderë nga QKUK për kryerjen e këtyre shërbimeve, ka kohë që kanë kërkuar rritjen e pagave të tyre në të paktën 450 euro.

Kjo kategori i ishte bashkuar edhe një proteste të organizuar me 1 maj 2023 për ‘Ditën e Punëtorëve’ nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat që udhëhiqet nga Azemi, ku ndër të tjera, kërkonin edhe nënshkrim të marrëveshjes kolektive, trajtim të barabartë me sektorin publik e rritje të numrit të inspektorëve të punës.

Punëtorët e sektorit privat paralajmërojnë ikje nga vendi nëse nuk u plotësohen kërkesat