Protesta e punëtorëve teknikë dhe të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës më 11.03.2024 - Foto: KALLXO.com

Protesta e punëtorëve teknikë dhe të sigurimit fizik të UP-së, pretendojnë se kanë pranuar paga të shkurtuara

Punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës u mblodhën para objektit të Rektoratit dhe protestuan më 11.03.2024.

Kjo ka ndodhur pas tri javësh sa këta punëtorë i kanë kaluar në grevë, nga data 16.02.2024. 

Ata po kërkojnë pagë më të lartë pasi paga që marrin, në vlerë 300 euro, sipas tyre, nuk i plotëson nevojat e tyre.

Gjatë protestës, punëtorët teknikë deklaruan se ende nuk e kanë pranuar pagën për muajin shkurt, ndërsa punëtorët e sigurimit fizik thanë se këtë pagë e kanë pranuar të shkurtuar.

Ndërkaq, në këtë ditë studentët e Fakultetit Filozofik e kanë bojkotuar mësimin për shkak të higjienës dhe papastërtisë në ambientet e Fakultetit të tyre.

KALLXO.com ka kontaktuar me dy kompanitë të cilat janë të kontraktuara nga UP për kryerjen e shërbimeve.

Xhezide Aliu, punëtore teknike në UP, ka shprehur pakënaqësinë e saj në lidhje me pagën që merr.

“Unë jam në shpi me qira, qashtu po duhet, qiraja nuk të vetë a ke a s’ke, qashtu po duhet m’ia dalë. Punë kemi, po me mujtë mu ba rroga ma mirë, për krejt qysh u ba gjithkah, edhe për neve është kanë ma mirë” – ka thënë Aliu për KALLXO.com.

Kurse, punëtori tjetër teknik në UP, Zeqir Krasniqi, u ankua për mospranimin e pagës të muajit shkurt deri më tani.

“Unë personalisht varem veç prej kësaj rroge me 250 euro, në qoftë se edhe një javë ditë nuk dalin pagat e mia për familjen time, unë do të mbes në mëshirën e atyre kolegëve mbrapa që janë policia, se edhe ata me 250 euro nuk mujnë me mbijetu. Që tri vite na kanë lanë me 250 euro. Në një ndërtesë punojmë, një objekt, që 10 ditë personeli mësimor i kanë marrë krejt pagat, na që 10 ditë nuk kemi pse me shku” – ka deklaruar Krasniqi.

Megjithëse KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje në lidhje me mosekzekutimin e pagave nga kompania e cila është punëdhënëse e punëtorëve teknikë, ata nuk janë përgjigjur.

Në anën tjetër, Bedri Elshani, i cili është punëtor i sigurimit fizik në UP, ka theksuar se sa është shuma që kompania ia ka zbritur nga paga e muajit shkurt.

“Rektorati i kanë qitë paret për shembull në këtë muaj, po i kanë bo me ndalesa, me prerje, bajagi që greva s’është e ligjshme. Jemi diku gjysmë a ma shumë punëtorë që i janë ndalë kah 60 euro. Katër fëmijë në shkollë p.sh. i kam, çka me ba me 300 euro, plus ta ka ndalë gjysmën” – ka thënë ai.

I pyetur nga KALLXO.com se a ka dalë në vendin e punës përderisa ishte në grevë, Elshani e ka pohuar.

“Po, edhe si p.sh. sigurimi gjatë natës e ka ruajtë objektin” – ka shtuar ai.

Izet Shala nga kompania  “Rojet e Nderit”, e cila është e kontraktuar nga UP për shërbimet e punëtorëve të sigurimit fizik, ka shpjeguar për KALLXO.com se pse u është zbritur punëtorëve shuma prej 60 eurosh nga paga e muajit shkurt.

“Disa punëtorë d.m.th. nja 20, po më doket 22, i kanë marrë në fakt pagat e prera për arsye se Rektorati, UP-ja, mua ma kanë pre faturën për shkak të, e kanë parapa sekretarët, e kanë lëshu raportin negativ gjatë punës se këta sekretarët lëshojnë raporte mujore, e vlerësojnë qysh ka shku puna, d.m.th. nja 7 fakultete e kanë lëshu raportin prej datës 20 d.m.th. deri datën 29 e kanë lëshu raportin negativ gjoja që nuk është kry shërbimi” – ka theksuar Shala.

Ndërsa, punëtorëve të tjerë që nuk kanë qenë pjesë e raporteve negative, Shala ka thënë se u ka dalë paga e plotë.

Me këtë rast, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, teksa u është drejtuar punëtorëve gjatë protestës, ka theksuar se nuk pranojnë pagë tjetër përveç pagës që synojnë.

“Çfarë njerëzish jemi ne kur vijmë para dere të bisedojmë si njerëz, jo si njerëz të qartun qysh janë këta si njerëz dhe këta nuk janë të gatshëm me bisedu, sepse janë duke na nënvlerësu, por megjithatë ne ju themi: Ka ardhë koha jonë dhe harroni ato që ne do të punojmë për 320 euro bruto për tri vite” – ka thënë Azemi.

Ai ka fajësuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se nuk e ka përmbushur premtimin të cilin, sipas Azemit, e kishte bërë në vitin e parë kur e kishte pranuar pozitën.

“I themi: Faleminderit kryeministër, na e ke ndihmuar, na e ke tri pika, sepse ka premtuar që në mars të vitit të parë që ka ardhë si kryeministër ka thanë: Paga e juaj do të jetë 350 euro, pikërisht në Universitetin e Prishtinës, dhe këtë nuk e bëri as pas tri vitesh” – tha ai.

Si përfundim, Azemi ka paralajmëruar se nuk do të ndalen, se protesta e tyre do të vazhdojë edhe të martën, më 12.03.2024.

“Dhe të jeni të bindur që ne përderisa të mos plotësohen kushtet tona asnjëherë nuk do të jenë të rehatshëm këta në zyrat e veta, sepse ne jemi ata që po iu afrojmë, zyrën po ia bojmë me parfum që kur të vjen rektori të jetë, të punojë si duhet” – ka njoftuar Azemi.

KALLXO.com e ka pyetur Rektoratin e Universitetit të Prishtinës në lidhje me pretendimet e punëtorëve se nuk u kanë dalë pagat, e se disa i kanë pranuar të shkurtuara, por deri në publikimin e këtij materiali nuk ka marrë ndonjë përgjigje.