Punëtorët e sektorit privat paralajmërojnë ikje nga vendi nëse nuk u plotësohen kërkesat

Pagë minimale 450 euro, implementim të ligjeve në fuqi, nënshkrim të marrëveshjes kolektive, trajtim i barabartë i sektorit publik, rritja e numrit të inspektorëve të punës, fond për punëtorët që humbin jetën dhe lëndohen në vendin e punës janë disa nga kërkesat që Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat po kërkon nga Qeveria që të plotësohen.

Nëse kërkesat nuk plotësohen, punëtorët gjatë protestës së sotme, paralajmëruan se do të largohen nga vendi.

Kryetari i sindikatës, Jusuf Azemi ka thënë se me rastin e 1 majit ka dashur që të festojë, mirëpo sipas tij Qeveria dhe pronarët e kompanive nuk po e lejojnë një gjë të tillë.

“Do të donim që të festonim edhe ne sepse koha është shumë e bukur po a e dini përse nuk dolëm? Sepse pronarët e kompanive dhe Qeveria e Kosovës nuk po na lejon këtë. Nuk mund të dalim, nuk mund të festojmë sikurse ata po festojnë për veti, sepse ata nuk e kanë problem pagën ata kanë problem se ndoshta ndonjëherë po jua prishim gjumin, të na ironizojnë e shantazhojmë”- tha Azemi.

“Sot një vit kemi qenë këtu, sot një vit jua kemi sjellë kërkesat tona Qeverisë dhe pronarëve të kompanive dhe a e dini se cili është bilanci? Bilanci i Qeverisë në raport me punëtorët e sektorit privat jo që është 0 por ka hy nën 0”- shtoi ai.

Azemi ka pyetur Qeverinë dhe pronarët e kompanive se me çfarë veprime krenohen tek punëtorët e sektorit privat, teksa shtoi se ata mund të krenohen vetëm për një çështje.

“Mund të krenohen për një çështje: Qeveria ndau një pako për inflacionin për ta lehtësuar, dhe çka bëri ajo, Qeveria u ndau mjete atyre që kanë pagat dy dhe tri herë më shumë se ne, punojnë më pak se ne dhe neve a e dini çka na thanë: Kërkojani pronarit 50 euro, nëse ai ti jep, t;i jap edhe unë dhe ne thamë, jemi të gatshëm t’i pranojmë ato se çka na ofroni ju sepse e dijmë pronarët që nuk na japin”- deklaroi ai.

Kryesindikalisti ka kërkuar nga Ministri i Shëndetësisë që ushqimin e spitaleve që u shërbehet pacientëve, dhe i cili tepron, t’u dhurohet punëtorëve të sektorit privat.

“Kërkojmë nga ministri i shëndetësisë, ushqimi i pacientëve në spitale i cili jipet për pacientë dhe tepron, na jepni dhe mos e gjuani, por nuk e bënë këtë. Ushqimi gjuhet dhe nuk na ofrojnë ne se frikësohen se mos bëhemi të pasur. Ne nuk i kemi milionat, kemi dinjitet”- shtoi ai.

Kryetari i Sidikatës tha se nuk do e lusin Qeverinë duke theksuar se “nuk jemi në pozicionin e lutjes”.

“Nuk do të ju lusim më, Qeveri e nderuar për të mirat që ju kemi dhënë juve, sipas të gjitha gjasave, tani e tutje do t’i përfitojë dikush tjetër. Momenti i fundit që keni humbë ju edhe na, shpëtoni atë cka mund të shpëtohet përndryshe realiteti është realitet. Nuk jemi në pozicion e lutjes. Kthjelluni sa nuk është bërë vonë”- përfundoi Azemi.